Hoti: Kosova nuk është kritikuar kurrë në Komitetin për Punë të Jashtme në ShBA, siç ndodhi para dy dite
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova nuk është kritikuar asnjëherë në Komitetin për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se më herët janë dhënë vërejtje e sugjerime, por ka pasur vlerësime pozitive për qasjen e Kosovës.
“Nuk duhet të na ngushëllojë fakti se kritikat kanë qenë edhe më të mëdha ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e mbajnë peng progresin e rajonit drejt integrimit evropian.” – ka shkruar ai.
Hoti tutje ka thënë se për Kosovën nuk ka rrugë tjetër përpos ShBA-së.
“Mirëmbajtja dhe avancimi i marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë është e vetmja mënyrë për tu bërë ballë sfidave në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për ne nuk ka rrugë tjetër. Imagjinoni për një moment pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perspektivën e integrimit euro-atlantik pa mbështetjen e aleatëve dhe do të bindeni për nevojën e koordinimit tonë të plotë dhe të përhershëm me aleatët.” – u shpreh ai.
Në fund, Hoti ka përmendur edhe kontratën për lobim, duke ironizuar se ndoshta “do të ndryshojë qasja e Amerikës ndaj Kosovës”.