Hoti ia numron VV-së tri shkeljet kushtetuese ende pa e nisur mandati: Opozita duhet ta shfrytëzojë çdo mekanizëm
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje e thirri vazhdimin e seancës konstituive për nesër në orën 11:00.
Ai në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë tri shkelje Kushtetuese, ende pa nisur mandatin e ri.
“Tri shkelje kushtetuese ende pa nisur mandatin e ri:
1. Duke e thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për nesër në orën 11:00, që është jashtë afatit kushtetues 30-ditor, kryesuesi i seancës konstituive po e shkel Kushtetutën.
2. Duke mos e bërë propozimin për Kryetar të Kuvendit në seancën e djeshme apo sot brenda afatit kushtetues, Grupi më i madh Parlamentar LVV po e shkel Kushtetutën.
3. Duke i mbajtur pozitat në Qeveri pas dhënies së betimit si deputetë, Kurti dhe të tjerët janë duke e shkelur Kushtetutën dhe ligjin”, ka shkruar ai.
Tutje, Hoti ka shkruar se opozita duhet të shfrytëzojë çdo mekanizëm kushtetues për t’i ndaluar këto shkelje.
“Përballë këtij sulmi të hapur ndaj rendit kushtetues, opozita duhet pa asnjë hezitim të shfrytëzojë çdo mekanizëm kushtetues dhe ligjor për t’i ndalur këto shkelje dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët e tyre.
Mbrojtja e Kushtetutës nuk është zgjedhje politike, por detyrim ndaj Republikës dhe qytetarëve që na besuan”, tha ai.