Hoti ia kujton Kurtit kohën kur ia ndau buxhetin RTK-së: Është plotësisht e mundshme - NACIONALE

Hoti ia kujton Kurtit kohën kur ia ndau buxhetin RTK-së: Është plotësisht e mundshme

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti Avdullah Hoti ka kujtuar kohën kur si kryeministër në detyrë, kishte ndarë buxhetin për RTK-në edhe pse nuk kishte komision.

Hoti ka thënë se kjo është plotësisht e mundshme.

Postimi:

RTK-ja nuk duhet të mbetet pa buxhet, pavarësisht se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional. Buxheti për RTK-në është pjesë e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025, kështu që mjetet ekzistojnë në Thesar dhe janë të përcaktuara për këtë qëllim.

Në mungesë të Kuvendit funksional, zgjidhja ligjore për alokimin e përkohshëm të buxhetit mund të bëhet sipas praktikave të mëparshme.

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2021, si Qeveri në detyrë patëm marrë vendim më 27.01.2021 për alokimin e buxhetit për RTK-në, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Ky vendim është publik në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Në atë vendim janë përfshirë edhe pika 3 dhe pika 4, të cilat e obligojnë Thesarin të bëjë përshtatjet e nevojshme sipas vendimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet, që merret pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Zyrtarët ligjorë të Qeverisë së atëhershme dhe këshilltarët ligjorë të Kryeministrit e kishin plotësuar këtë vendim edhe me arsyetimin përkatës, në mënyrë që secili që e lexon këtë vendim të kuptojë rrethanat në të cilat është marrë ai.

Kështu që, alokimi i përkohshëm është plotësisht i mundshëm, dhe ky nuk duhet të jetë problemi i RTK-së.

Problemi është se, megjithëse këta të VV-së kishin bërë zhurmë e kritika me vite të tëra, as pas pesë vitesh në pushtet nuk arritën t’i japin zgjidhje financimit të RTK-së si medium publik dhe i pavarur.

Për më tepër, e zvogëluan buxhetin e RTK-së dhe e mbajtën të pandryshueshëm vit pas viti. Në vitin 2021, buxheti i RTK-së ishte 11.2 milionë euro. Nga viti 2022 e tutje, ai u zvogëlua në 8.9 milionë euro dhe mbeti i pandryshuar. Duke pasur parasysh inflacionin gjatë këtyre viteve, ky buxhet ka rënë dukshëm në vlerë reale.

Është jetike për këtë medium publik që Kuvendi i ardhshëm:

• Të gjejë zgjidhje të përhershme për financimin e RTK-së sipas modeleve evropiane.

• Të bëjë ndryshime esenciale ligjor që garantojnë pavarësinë e RTK-së nga politika dhe përcaktojë standarde të larta dhe transparente sa i përket etikës gazetareske në këtë medium publik.

• Të miratojë konceptin e planit strategjik për zhvillim të RTK-së, ku adresohet avancimi i vazhdueshëm profesional dhe teknologjik i këtij mediumi publik të pazëvendësueshëm.

Lajme të ngjashme