Historia e parrëfyer e ‘mësuesit të UÇK-së’ - NACIONALE

Historia e parrëfyer e ‘mësuesit të UÇK-së’

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Ky shkrim ribotohet për nder të 7 marsit, ditës së mësuesit!

Për këtë 7 Mars, Nacionalja sjell rrëfimin mbi mësuesin që ishte vrarë nga forcat serbe në shkollën ku jepte mësim dhe në varrimin e të cilit UÇK-ja do ta bënte publike para botës ekzistencën e saj.

Çdo 7 Mars, Mësonjëtorja e Korçës na e kujton rëndësinë e mësuesve shqiptarë në veçanti dhe arsimit shqip në përgjithësi.

Kjo ishte porosi edhe nga ai që u mbiquajt “Mësuesi i UÇK-së”, Halit Geci, pak para se forcat serbe të shtinin pa asnjë provokim drejt civilëve brenda shkollës fillore të Llaushës.

I biri i mësuesit, Lulëzim Geci, rrëfen për gazetën Nacionale ngjarjet e ditëve nga 26 deri më 28 nëntor 1997.

Ai thotë që pas një beteje mes bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit dhe policisë serbe, këta të fundit, duke u tërhequr të turpëruar nga rezultatet e betejës, pushkët i kthyen edhe nga shkolla e fshatit ku jepte mësim babai i tij.

Po të mos ishte për mësuesin Halit Geci dhe kolegët e tij, të rrezikuar seriozisht do të ishin edhe vetë nxënësit filloristë të shkollës.

Mësimi duhet të mbahet edhe në kohë lufte”, – Halit Geci.

Photo 24

Duke e ditur që forcat policore serbe po rrezikonin fëmijët e asaj shkolle, Geci ishte siguruar që nxënësit të largoheshin nga objekti i shkollës.

Mëngjesin e asaj dite, mësuesit s’i zihej vendi vend. Populli ende nuk dinte se kush po zhvillonte aksione kohë pas kohe kundër policisë serbe. Megjithatë, Halit Gecin, nuk e kishte tradhtuar mprehtësia prej mësuesi, të kuptojë nga gjysmëfjalët se në të vërtetë ata që luftonin ishin pjesë e një ushtrie që po formohej për ta çliruar vendin.

Porsa [babai] futej [brenda] e ulej, menjëherë ngrihej në këmbë dhe dilte jashtë. Dukej i shqetësuar. I thashë ‘Ulu babë se duhet të hamë bukë’, ai ma ktheu ‘E more bir, dikush po ha plumba e ne po hamë bukë’. Unë ia ktheva tu e pyet se kush janë ata? E, ai m’u përgjigj ‘Sabiti [Geci] i bacës Sheremet dhe Nuhiu’.’” — rrëfen i biri i mësuesit, Lulëzim Geci.

Nxënësi i tij, Arbër Geci, tregon se mësuesi për sigurinë e tyre i përcolli nxënësit deri te dera e shkollës, [sic.] edhe pse ata kishin orë mësimore, sikur ta dinte se shkolla do të ishte cak i sulmit.

Me t’u siguruar nxënësit, forcat policore u tërhoqën nëpër fshatin Llaushë, duke gjuajtur në drejtim të shkollës ku mbetën të plagosur dy mësues.

Neve na ka përcjellë deri te dera e oborrit të shkollës, ku edhe ka thënë ‘tash shkoni nëpër shtëpitë e juve’, kemi vazhduar me vrap, e hala pa shkuar në shpi, kemi dëgjuar se janë plagosur mësuesi Halit dhe mësuesi Shaban”, — kallëzon nxënësi i tij.

Photo 25

Gjithashtu, i biri Lulëzim Geci, njofton se forcat policore serbe edhe pse disa kilometra larg betejës, në vazhdimësi gjuanin me armë pa zgjedhur drejtim.

Forcat e policisë serbe kanë pasur humbje të mëdha. Të dëshpëruar, në vazhdimësi kanë gjuajtur me armët e tyre në të gjitha drejtimet, madje edhe derisa vinin mesit të fshatit në rrugën kryesore.

Tjetri mësues i plagosur, Shaban Rreci, rrëfen momentin kur u plagos bashkë me kolegun e tij, Halit Gecin.

Ne kemi hy brenda [në shkollë], në derë kemi qenë bashkë me mësuesin Halit, krismat kanë vazhduar... Haliti tha ‘mua më kapi plumbi’. Nuk është rrëzuar, por e pamë që paksa po luhatej”, — përshkruan mësuesi Rreci.

Photo26 Photo 27

Plumbi e kishe kapur në stomak, e që rezultoi te ishte fatal për mësuesin 52-vjeçar. Por, kjo s’e ndaloi që edhe në momentet e fundi të jetës, të interesohej për gjendjen e nxënësve të vet.

Thash ‘po, nxënësit kanë shpëtuar...’, tha ‘Hajt se për neve s’ka gajle’” — tregon kolegu Rreci.

Vitet e 90-ta kishin qenë të mundimshme për shqiptarët, sidomos pas masave të dhunshme ku një pjesë shumë e madhe qenë larguar me forcë nga puna. Kjo politikë prodhoi varfëri, e veturë rrallëkush posedonte, madje edhe për raste emergjente.

Gjithashtu, rrezik ishte edhe për t’i dhënë ndihmë dikujt që ishte sulmuar nga forcat policore serbe. Por, kjo s’e ndaloi Veli Gecin, ta çonte mësuesin deri në spitalin e Mitrovicës.

Ai [Veli Geci] ka thënë ‘me ditë se nuk shoh diell me sy, pa e çu vetë me kerr në Mitrovicë, kurrë s’e lo’”, — citon i biri i mësuesit.

Photo 28

Pas 12 orëve luftë me jetën, mësuesi vdes, por varrimi i tij u bë shkak për t’i paraprirë një ngjarjeje madhështore që kujtohet çdo 28 nëntor.

Plumbi e ka rrokur diku rreth orës 11 në mëngjes, ndërsa rreth orës 11 në mbrëmje ka ndërruar jetë”, — rrëfen i biri.

Siç pritej, forcat policore që gjendeshin gjithandej në spitalin e Mitrovicës — pas humbjeve të mëdha që u shkaktoi Adem Jashari me shokë që u kishte shkaktuar Adem Jashari me anë të një sulmi gueril në Grykën e Klisyrës — filluan maltretimin mbi personat që kryen një gjest njerëzor, i dhanë ndihmë dikujt që po luftonte për jetë.

Madje, për ta mbuluar turpin, pas maltretimeve, policët serbë urdhëruan familjarët që mësuesi të varrosej pa bërë bujë, bile duke thënë se është vrarë në betejë, e jo në shkollë.

“[Veli Geci, Rrahman Geci dhe Hajriz Geci] Kanë pasur maltretime të ndryshme, duke i detyruar të thonë se mësuesi s’është vrarë në shkollë, por në betejë. Në fund kanë thënë merreni [kufomën] dhe varroseni sa ma shpejt, mos t’ju zë terri pa e varrosur,” — rrëfen Lulëzim Geci.

Edhe pse beteja në Rrezallë të Re nxori rezultate të kënaqshme për ushtarakët e UÇK-së që kishin marrë pjesë në atë sulm, kur morën vesh lajmin për vrasjen e mësuesit Halit, ishin prekur shumë. Andaj, komandanti legjendar Adem Jashari kishte urdhëruar jo-drejtpërdrejt që varrimi i mësuesit dëshmor të bëhej më 28 nëntor.

Njerëzit filluan të vijnë nga të gjitha anët për ngushëllime. Neve na erdhi një kërkesë që mësuesin ta varrosim të nesërmen, për Ditën e Flamurit. Mixha thotë ‘Mos po bëhet gjatë e po më dhimbsen familja’, dikush ka thënë ‘Avdyl mos u ngut...’, e mixha ia kthen ‘Deri sot (mësuesi Halit) ka qenë vëllai im, prej sot është vëllai i të gjithëve’, andaj pas pak diskutimeve u vendos që varrimi të bëhej me datën 28 nëntor”, – rrëfen djali i mësuesit.

Photo 29
Photo 30

Aktiviteti i UÇK-së kishte qenë sekret deri në atë kohë, e si shumica, edhe Lulëzim Geci deri në varrimin e babait nuk ishte i njoftuar për ekzistencën e emblemës trishkronjëshe. Por, me të marrë lajmin, i biri i mësuesit iu bashkua misionit të shenjtë të çlirimtarëve.

Personalisht nuk kam pasur dijeni për të [UÇK-në], as se pjesëtarë të UÇK-së do të dalin publikisht në skenë, deri në momentin kur dëgjuam se dikush thoshte të hapej rruga, e pastaj Rexha [Rexhep Selimi] e mori mikrofonin dhe na njoftoi”, – rrëfen Geci.

Afërsia që mësuesi Halit kishte me kolegun dhe familjarin Ilaz Gecin, bëri që t’i besohej hapja e ceremonisë mortore.

“... Unë e kam pasur mikrofonin në dorë, e Rexhep Selimi ma mori mikrofonin nga dora. Nuk kam arritur ta dalloj kush është”, – rrëfen momentin kur Rexhep Selimi përfaqëson UÇK-në publikisht në varrimin e mësues Gecit.

Me urdhër të legjendarit Adem Jashari, më 28 nëntor në varrimin e mësuesit Halit, tre ushtarakë ishin dërguar me mision për ta njoftuar popullin se UÇK-ja tash e tutje vepronte publikisht dhe dera e organizatës ishte hapur për rekrutim.

Por, një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria për Çlirimin e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve...”, – vazhdon me fjalimin Rexhep Selimi në varrimin e mësuesit.

Në anën e tij të djathtë shihet gjenerali Daut Haradinaj, atë kohë ende tinejxher 19-vjeçar. Ndërsa në të djathtën e Selimit, shihet Mujë Krasniqi [Kapuçi], tashmë dëshmor i rënë në Betejën e Pashtrikut.

Ka qenë një moment i papërshkrueshëm, më dukej sikur për një moment koha ka ndaluar. Fillimisht njerëzit qanin, e pastaj filluan të qeshin e të brohorasin,” - vazhdon Lulëzim Geci.

Liria erdhi, e Shkollës së Llaushës i erdhi edhe emri i ri. Sot, shkolla në të cilën Halit Geci mori plumbin, mban emrin e tij.

Mësuesi i UÇK-së, Halit Geci, shkollën fillore e kreu në Llaushë, ndërsa normalen në Mitrovicë. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Geci filloi detyrën e shenjtë të mësuesit në fshatin Polac.

Pas dy vjetëve aty, Geci kthehet në Llaushë për të shpërndarë dije në shkollën e fshatit përgjatë 27 vjetëve të ardhshme.

E si i ri, mësuesi Halit Geci ka marrë pjesë në protestën e vitit 1968, ku shqiptarët ndaj ish-Jugosllavisë kërkonin respektimin e të drejtave themelore të njeriut, ndër to edhe përdorimin e flamurit kombëtar.

Për dallim nga 5 Tetori që shënohet si festë ndërkombëtare e Ditës së Mësuesit, në trojet shqiptare Dita e Mësuesit festohet më 7 mars, kjo për shkak se në këtë datë më 1887 u hap mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe.

Photo31

Lajme të ngjashme