Historia e harruar e Marsit 2004 - NACIONALE

Historia e harruar e Marsit 2004

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Disa ditë para se vinte pranvera e 2004-s, Kosovën e përlau një stihi e madhe trazirash. Shqiptarët pësuan viktima më së shumti – shumica e tyre nxënës të shkollave të mesme. Këshilli i Sigurimit, Rusia, Serbia dhe aleatët e saj e shfrytëzuan këtë rast që të shkrehnin propagandën më të madhe kundër Kosovës që u bë ndonjëherë. Sadoqë rrënjët e revoltës ishin te shpërfillja e kërkesës për pavarësi, struktura të caktuara, deri më sot të pazbuluara, morën frerët e turmave. Si pasojë, protestat devijuan pafalshëm duke shenjëstruar shtëpi civile dhe kisha e manastire ortodokse. Përveç zezimit të imazhit të shqiptarëve si jotolerantë në terma religjiozë, Kosova sot e kësaj dite i vuan pasojat. Dhe një prej tyre, që rëndon më së shumti, është që shteti duhet të harxhojë energji, kohë e burime për të garantuar statusin e paprekshëm të kishave e manastireve ortodokse.

Col Mehmeti

17 mars 2026 – Katërmbëdhjetë shqiptarë, më i vogli 9 vjeç e më i moçmi 62 vjeç, humbën jetën brenda tri ditëve të atij marsi pa borë.

Sipari i pranverës tragjike filloi më 16 mars kur tre fëmijë në fshatin Çabër, Egzon Deliu, Avni Veseli e Florent Veseli, u përbinë nga thellësitë e ujërave të Ibrit.

Të ndjekur nga një grup serbësh me qen që jargaviteshin nga egërsia, ata me vrap u përpoqën të iknin nga të mundin.

Me zemrat që iu rrihnin nga llahtari, tre fëmijët hynë drejt lumit që i mori përjetë.

Dy ditë më vonë, tetëmbëdhjetë vjeçari nga Ferizaj, Alimuhamet Murseli, u nda nga jeta në mënyrë edhe më të dhunshme.

Kur qyteti gëlonte nga qindra protestues të rinj, kryesisht nxënës shkollash të mesme, një tanks i kontigjentit grek të KFOR-it e shtypi për së gjalli.

Po njësoj skicohet fati edhe i të rinjve të tjerë të vrarë, disa nga plumbat e snajperëve e disa nga granatat e dorës.

Këto kronika tragjike nuk janë shpluhurosur as sot kur kalendarikisht bëhen plot 22 vite pas ngjarjeve të 17, 18 dhe 19 marsit 2004.

Ndodhitë në fjalë do të eklipsoheshin nga ngjarjet e mëpastajme politike që përcaktuan vendimtarisht fatin e këtyre hapësirave.

Pasojat e pamira të Marsit 2004

Me një pjesëmarrje që vlerësohej deri në rreth 51 mijë protestues në së paku tridhjetë e tri vatra trazirash, ditët që paraprinë pranverën e 2004-s bënë vend në histori për konsekuencat e tyre largvajtëse.

Nga perspektiva e sotme, qendrat vendimmarrëse në Perëndim u zgjuan nga dremitja e pafalshme sa i përket Kosovës.

Pas ndërhyrjes së 1999-s lipsej edhe akti i mbramë me të cilin do të mbyllej misioni i madh historik i vendosjes së paqes me lindjen e një shteti të ri.

Ndonjë zë i guximshëm që i kuptonte pulset e gjendjes në rajon, qysh në atë kohë, e qortonte Perëndimin për çinteresimin ndaj çështjes së Kosovës.

Sidoqoftë, ngjarjet e këtyre tri ditëve vunë në lëvizje një proces që përndryshe nuk po fillonte diplomatikisht.

Boshllëku i ngurrimit diplomatik i bëri vend hiperaktivitetit jodiplomatik të njerëzve të lodhur.

Dhe meqë ky proces nisi kështu, në njëfarë kaosi rrugësh, shteti ende i palindur do të bëhej peng i kufizimeve të ardhshme.

Duke i marrë si vëng trazimet e marsit, në Këshill të Sigurimit u tumir ideja që kishat, manastiret e tempujt ortodoksë në Kosovë të gëzonin herdokur status ekstraterritorial.

Pasojisht, shteti i Kosovës sot e gjithë ditën vazhdon t’i mbartë mbi supet e veta sa e sa detyrime e angazhime shtesë për të siguruar këto mikrohapësira esktraterritoriale.

Edhe procesi i decentralizimit, që zanafilloi nga aleatë të Serbisë në OKB, shestoi krijimin e komunave me shumicë serbe.

Sadoqë u përmend gjithë kohën lehtësimi i shërbimeve publike, copëzimi i nivelit lokal vetëqeverisës u bë në emër të shmangies së skenarëve të dhunës etnike.

Duke qenë se protestat e marsit devijuan rëndshëm kur shenjëstruan prona private e ngreha fetare (përfshirë edhe trashëgimi historike), Këshilli i Sigurimit qysh atëherë i preu kërthizën narracionit që shqiptarët i fëlliqte me furçën negative si fajtorët e vetëm për triditëshin e dhunshëm.

Më pak se një muaj pas turbullimeve të mëdha, Nën-Sekretari i Përgjithshëm për Operacione Paqeruajtëse, Jean-Marie Guéhenno, 17 e 18 Marsin e quajti si “fushatë të organizuar, të gjithështrirë e të shenjëstruar nga ekstremistët shqiptarë të Kosovës...

Në fillim ishte ankthi i pritjes

Nën rrethanat e një padurimi të përgjithshëm politik, 2003-a filloi e mbaroi nën një ndjesi të pashprehur tensioni kolektiv.

Bllokimi i rrugëve nga serbë lokalë ishte bërë skenë që përsëritej thuajse javë më javë.

Megjithatë, ja që do të vinte një çast fataliteti kur paqja e pamundur do të krisej si qelq.

Më 16 mars, tre fëmijë shqiptarë në Çabër humbën jetën kur u vunë në ndjekje nga banda serbësh lokalë.

Kur trupat e tyre të pajetë u gjetën pas orësh të tëra kërkimi të ankthshëm, lajmi i zi mori dhénë.

Fillimi i shpërthimit nga Mitrovica deri në Lipjan

Perdja e paraditës së 17 marsit do të hapej me gjullurdinë më të madhe që përjetoi Kosova e pasluftës.

Qindra të rinj shqiptarë mësynë te Ura e Ibrit, e cila ishte kthyer në një simbol fizik të ndarjes e poshtërimit urban.

Bash te kjo urë ndodhi një cakërrim i përgjakshëm me serbë të armatosur me granata e armë zjarri.

Dhuna u bë edhe më e papërmbajtur kur kontigjente të KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut u përpoqën të frenonin vetëm palën shqiptare.

Njëkohshëm, 70 kilometra në jug, si nja 800 protestues, shumica të rinj nga shkollat e mesme, ishin nisur nga Prishtina drejt Çagllavicës.

Pikëndalesat e KFOR-it dhe UNMIK-ut sipër Veternikut nuk e frenuan dot masën.

Reagimi i sertë i ushtarëve francezë bëri që turma protestuese sakaq të dilte nga kontrolli e të mësynte edhe mbi shtëpi private skaj udhe.

Thuajse gjysma e ditës kaloi me zjarrvënie, hedhje gurësh, lotsjellësish, granatash e plumbash.

Një stivë e trishtë si epilog: protestues të vrarë e ushtarë paqëruajtës të plagosur me plot shtëpi të djegura në prapavijë.

Vatra të tjera përplasjesh nxorën krye gjithandej.

Përleshje pati edhe në fshatin Bellopojë ashtu sikurse edhe në Pejë, aty ku të rinjtë sulmuan selinë rajonale të UNMIK-ut që ishte kthyer në imazhin e urryer të një misioni që nuk e çan kryet për vendin.

Përplasje ndëretnike morën zjarr edhe në Fushë Kosovë e Lipjan.

E nesërmja vazhdoi me një frymë poaq të papërmbajtur turbullirash.

Gjatë kësaj dite, persona të panjohur nxitën turmat që u kahëzuan edhe drejt kishave ortodokse në Kastriot, Prizren e Prishtinë.

Të vrarë, të plagosur, të shkatërruar

Kur ditën e tretë përplasjet ishin mpakur, pasojat tashmë valëvisnin flamurin e përzishëm.

Sipas raportit të parë të KMDLNJ-së, katërmbëdhjetë shqiptarë mbetën të vrarë gjatë këtyre ditëve.

Në mesin e tyre ishin: Egzon Zaim Deliu 12 vjeç (Çabër, Zubin Potok); Avni Sheremet Veseli 11 vjeç (Çabër, Zubin Potok); Florent Çerkin Veseli 9 vjeç (Çabër, Zubin Potok); Isak Fazli Ibrahimi 38 vjeç (Shupkoc, Mitrovicë); Ferit Sefer Çitaku 24 vjeç (Çitak, Skënderaj); Fatmir Avdullah Avdullahu 38 vjeç (Çitak, Skënderaj), Ajvaz Mehmet Shatrolli 62 vjeç (Murgullë, Besianë); Bajrë Osman Elshani 32 vjeç (Baicë, Drenas); Kastriot Osman Elshani 23 vjeç (Baicë, Drenas); Agron Hasim Ramadani 29 vjeç (Prishtinë); Nevzat Rrahmani 21 vjeç (Gadime e Poshtme, Lipjan); Arben Halit Shala 18 vjeç (Zoçishtë, Rahovec); Alimuhamet Murseli 18 vjeç (Ferizaj) dhe Esat Ramë Tahiraj 32 vjeç (Novosellë, Pejë).

Gjithnjë sipas raportit të parë të KMDLNj-së, gjatë këtyre ngjarjeve humbën jetën edhe Jana Tuçev 36 vjeç (Mitrovicë); Borivoje Spasojeviq 63 vjeç (Mitrovicë); Nenad Vasiq 53 vjeç (Lipjan); Slobodan Periq-Boban 52 vjeç (Gjilan); Zlatibor Trajkoviq 62 vjeç (Fushë Kosovë) dhe Dragan Nedelkoviq 61 vjeç (Prizren).

Përveç anës njerëzore, triditëshi i përplasjeve la vragën e vet edhe me dëme materiale.

Simbas një raporti të Human Rights Watch, së paku 550 shtëpi dhe njëzet e shtatë kisha ortodokse u dogjën, shoqëruar edhe me zhvendosje të brendshme të njerëzve.

Serbia rrah daullet e luftës

Pasiguria u shtua edhe më kur, më 19 mars, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Boriq Tadiq kërcënoi se Serbia mund të reagonte ushtarakisht në Kosovë.

Paraprakisht, Beogradi parashtroi kërkesë ndaj NATO-s që t’ua lejonte trupave serbe hyrjen në Kosovë në emër të mbrojtjes së enklavave.

Gjatë kësaj kohe, udhëheqës politikë të Kosovës bënë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të shmangeshin nga dhuna – për t’u përmendur janë përpjekjet e kryeministrit tashmë të ndjerë, Bajram Rexhepi, që doli edhe vetë para protestuesve për t’i sprapsur.

Duke përfituar nga alarmimi i OKB-së, përfaqësues të vendeve që nuk kishin qëndrim dashamir ndaj Kosovës i shfrytëzuan këto ngjarje për t’ia zezuar imazhin shumicës shqiptare.

Edhe raportet ndërkombëtare, si ai i Human Rights Watch që doli në korrik të po atij viti – e vlerësuan me ngjyra skajshmërisht pesimiste gjendjen në Kosovë.

Aty u kritikua KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut se “dështuan katastrofikisht për të mbrojtur pakicat gjatë trazirave të gjithështrira”.

Më 12 korrik 2004, raport i ngjashëm u përpilua edhe nga Ombudspersoni i Kosovës, polaku Marek Antoni Nowicki.

Aty u kamxhikua me kritika edhe UNMIK-u, edhe udhëheqja e Kosovës, se kishin dështuar për të arritur një nivel minimal të të drejtave dhe lirive të garantuara për pakicat.

Misioni i UMMIK-ut do të përpiqej ta rimëkëmbte besimin e humbur kudo në Kosovë kur në krye të tij, në gusht 2004, u vu diplomati danez Søren Jessen-Petersen.

Çekani rrah: edhe mirë, edhe keq

E vënë në lëvizje me padashje, bashkësia ndërkombëtare më në fund hodhi hapat e parë në drejtim të asaj që pezullonte si çështje e pazgjidhur.

Në tetor të 2005-s, i dërguari i posaçëm i Kofi Annanit, norvegjezi Kai Eide autoroi raportin e tij mbi gjendjen në Kosovë.

Duke vënë plusa për përparimet e bëra dhe minusa për ngeciet, raporti vlerësoi se Kosova ishte gati për të nisur bisedimet për statusin e saj të ardhshëm.

Ndonëse çështja e Kosovës vihej në binarët e zgjidhjes, në horizont dukej tashmë qartë se cilat kufizime do t’i kishte vendi.

Si pasojë e ngjarjeve të marsit, veçmas devijimit të saj kur u shenjëstruan pakicat dhe kishat e ngrehat fetare, raporti i Eides sugjeronte që të krijohej një “hapësirë mbrojtjeje” rreth këtyre vendeve, me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Poashtu, raporti u bë kasnec për krijimin e komunave të reja serbe në kuadër të procesit të decentralizimit të gjerë.

Sipas të dërguarit të OKB-së, “ai do të mundësonte lidhje horizontale mes komunave me shumicë serbe në Kosovë. Do të lehtësonte edhe përthithjen e strukturave paralele në entitete legjitime. Sifoqoftë, ai nuk duhet të rrezikojë institucionet qendrore në Kosovë apo ta dobësojë autoritetin e Prishtinës”.

Dobbins, amerikani që e shpjegoi më së miri Marsin 2004

Mënjanë raportit të shpalosur nga Sekretariati i OKB-së dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare si Human Rights Watch dhe OSBE, asokohe pati edhe ndonjë analizë depërtuese që ngjarjet i shihte nga një dritë tjetër.

E tillë ishte një analizë e ish-këshilltarit të presidentit amerikan Clinton, James Dobbins, e botuar në faqet e International Herald Tribune.

Sipas tij, fill pas luftës, një pjesë e Perëndimit vendosi që të mos merrej asnjë vendim për sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Në vend të kësaj u sugjerua që status quo-ja të mbahej sa më gjatë që ishte e mundur.

Në këtë analizë, Dobbins shkroi se në vend se të merrej me Kosovën, një pjesë e Perëndimit ishte “më e shqetësuar për ndarjen e Maqedonisë, Bosnjës dhe asaj që ngelej nga Jugosllavia. Ishte frika se njohja e pavarësisë së Kosovës do të trimëronte prirjet separatiste në të gjitha këto vende, do të pezmatonte edhe më tej nacionaizmin serb dhe do të pakësonte prospektin për një revolucion demokratik në Serbi”.

“Serbët ëndërrojnë të bëhen sërish nacionalitet sundues”

Si rrallë të tjerë në Amerikë, duke përfituar edhe nga të qenit ambasador amerikan në BE, James Dobbins shpaloste një njohje goxha të mirë të realiteteve në Ballkan.

Për këtë arsye, edhe analiza e tij rrokte më mirë shkaqet që ortekizuan ngjarjet e dhunshme të marsit 2004.

Sipas diplomatit amerikan, qysh më 1999, ishte e qartë se shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të lejonin që të qeveriseshin përsëri nga Beogradi.

Ishte e qartë atëherë siç është edhe tani që dështimi i bashkësisë ndërkombëtare për të njohur formalisht këtë fakt vetëm sa ka stërkequr tensionet etnike brenda Kosovës, duke lejuar banorët serbë të mbajnë shpresën se përsëri mund të bëhen nacionaliteti mbisundues, e kështu banorët shqiptarë u shtynë ta shihnin secilën enklavë serbe të mbetur si çerdhe të një invazioni të radhës”. /Nacionale/



Lajme të ngjashme