Hiqet guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës gjakovare që dogji veten pas varrimit të bijve të saj - NACIONALE

Hiqet guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës gjakovare që dogji veten pas varrimit të bijve të saj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Profesori Ag Apolloni ka bërë me dije se është larguar nga vendi ku ishte guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës gjakovare, e cila kishte djegur veten pas varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë nga forcat serbe.

Ai ka treguar se këtë e ka bërë pronar i tokës ku ishte i vendosur guri përkujtimor.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ai guri ishte vendosur me lejen e pronarit të tokës, Hasan Zenun Bala.

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) qenka hequr sot pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala. Nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit. Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike (se s'i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri”, ka shkruar Apolloni.

Sipas tij, ky është një gjest i pahijshëm i pronarit të tokës.

“Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme