Digjet nga një mjet shpërthyes një pikë statike e Policisë në veri
Një pikë statike e Policisë së Kosovës është djegur në veri me mjet shpërthyes. Ky sulm është i dytë gjatë javës pas sulmit me granatë dorë në objektin e Komunës së Mitrovicës, ku u dëmtuan dy vetura zyrtare të Policisë së Kosovës.
Sipas informacionave të para, ngjarja ka ndodhur në zonën që njihet si “Tre Rrokaqiejt” rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Lajmin për mediat e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për veriun, Veton Elshani. Nga ngjarja, nuk ka pasur të lënduar megjithatë ka pasur disa dëme materiale.
Elshani po ashtu ka thënë se pak para mesnatës, pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës kanë tentuar të ndalojnë veturën e drejtuar nga një person.
Edhe këtë vepër, Policia e Kosovës e ka cilësuar si “kryerje e veprës terroriste”.
“KRYERJA E VEPRËS TERRORISTE Mitrovicë Veri, 29.06.2023, 03:15, Në vendin dhe kohën e lartcekur është dëgjuar një shpërthim. Patrulla policore ka dalë ne vendin e ngjarjes , në rrugën Kollashini (Tre Rrokaqiet), ka vërejtur se një shtëpizë, pronë e PK-së është përfshirë nga zjarri. Zjarri është lokalizuar (fikur) nga policia. Objekti është dëmtuar dhe dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një shpërthimi. Për rastin është njoftuar prokurori dhe në koordinim më të është iniciuar rasti si më lart.” – thuhet në raportin 24 orësh.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës lidhur me sulmin ndaj pikës statike të policisë.
Ndërkohë, para dy dite, pati edhe një sulm tjetër më mjete shpëthyese në veri të vendit.
Objekti i komunës së Mitrovicës Veriore ishte cak i sulmit me granatë dore, ku si pasojë dy vetura të Policisë së Kosovës u dëmtuan.
Policia këtë akt e kishte cilësuar si “kryerje e veprës terroriste”, teksa kishte dhënë detaje më shumë për sulmin.
“Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit, është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë. Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti "kryerja e veprës terroriste". Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim të PK-së.
Sulmi ishte dënuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Kurti kërkoi nga Serbia që të ndalë nxitjen e dhunës.
“Fatmirësisht, asnjë person nuk është lënduar, por fare lehtë mund të kishte pasur. Menjëherë të ndërpriste nxitjet e dhunës para se të humbeshin jetë njerëzish” – thuhej në reagimin e Kurti.
Në anën tjetër, MBP ka thënë se këto sulme kanë për qëllim eskalimin e situatës në veri të vendit.
“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.” – thuhej ndër të tjera në reagimin e tyre.