“Heronj të paqëndrueshëm”: Heshtja e përçudshme e Rexhep Qosjes për ish-liderët e UÇK-së në Hagë
Akademiku Rexhep Qosja vazhdon të jetë mjaft aktiv në debatin publik kosovar përkundër moshës së shtyrë. Por, për një çështje ai ka qëndruar shumë shumë i heshtur: mbajtjen në paraburgim të ish-liderëve të UÇK-së në Hagë. Çka na thotë kjo heshtje?
Qosja ka qenë më i afërt me të ashtuquajturin “krah i luftës” se sa me të ashtuquajturin “krah i paqes” përgjatë viteve 2000’. Ai ishte pra, më i afërt me Thaçin se sa me Rugovën. E megjithatë, kjo s’do ta pengonte që në prillin e vitit 2022, të hidhte një opinion në publik ku do të dukej goxha rugovist.
“Historia na ka bindur... se heronjtë e mendjes janë më të qëndrueshëm në kohë se sa heronjtë e luftës,” – konstatonte z. Qosja në atë shkrim.
Megjithëse “heronjtë e luftës” ishin më të paqëndrueshëm sipas tij, akademik Qosja ishte ashpërsisht kundër Gjykatës Speciale kur ajo pritej të votohej në vitin 2015.
“Nga njohuritë e mia historike dhe politike mund të them se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet një gjykatë e quajtur speciale, për hetimin e krimeve të supozuara të asaj ushtrie, të atyre luftëtarëve që bënë një luftë të drejtë, një luftë për mbrojtjen e popullit prej pushtuesit që ushtroi dhunë e terror për asgjesimin e këtij populli,” – kishte thënë akademiku në atë kohë.
Por, megjithëse për mbajtjen e stërzgjatur në paraburgim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit kanë shprehur shqetësime edhe rivalët më të mëdhenj politikë të tyre si Albin Kurti me vartësit e tij, një gjë të tillë nuk e ka bërë Rexhep Qosja.
Heshtje e përçudshme
Ndër deklaratat më të ashpra të Qosjes ndaj Thaçit përgjatë dekadës 2010’ kishte qenë përkujtimi që ky i fundit i bënte presidentit historik të vendit dhe rivalit të Qosjes, Ibrahim Rugovës. Po ashtu, ai akuzonte Thaçin se e kishte shkurtuar një fotografi nga Rambujeja duke e hequr atë.
Shenjat e një armiqësimi të thelluar nuk mund të shihen tjetërkund, ashtu siç nuk mund të shihen as reagimet e Qosjes për zhvillimet në Gjykatën Speciale.
Megjithatë, heshtja e Rexhep Qosjes është kumbuese nën dritën e reagimeve të vazhdueshme të politikanit të tij të preferuar, Edi Ramës.
Kryeminsitri i Republikës së Shqipërisë, prej kohës kur Thaçi u arrestua në nëntorin e vitit 2020 e deri tash, është shndërruar në një mbrojtës fanatik të tij dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Madje, kryeministri Rama e kishte çuar çështjen edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës në Strasburg ku mbante një fjalim denoncues ndaj Raportit të Dick Martyt dhe lavdërues ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ish-presidenti dhe ish-kryeminsitri Hashim Thaçi në anën tjetër nuk e ka sulmuar ndonjëherë Qosjen. Madje, në vitin 2018 ai i kishte uruar ditëlindjen “jubilare” tij duke e vlerësuar për kontributin në (sic) “peizazhin letrar dhe politik shqiptar”.
