A po bëhet Rexhep Qosja rugovist?
Gjatë ditës së djeshme, akademiku 85 vjeçar, Rexhep Qosja bëri një denoncim të hapur ndaj përkujtimeve të shumta që ju bëhen “heronjve të luftës” në një shpërthim që deri tash nuk dihet se ku e ka burimin. Por, çka po thotë akademiku në fjalën e tij?
Këtë shkrim, z. Qosja e titulloi “Heronjtë e luftës dhe heronjtë e mendjes” duke e bërë një ndarje e cila nuk është parë gjëkundi në debatet serioze të historisë apo filozofisë politike.
L U F T Ë ose M E N D J E
Antonimi i luftës zakonisht konsiderohet “paqja” derisa antonimi i mendjes konsiderohet “shpirti” ose “psiheja”. Sidoqoftë, për t’ju përafruar më shumë kontekstit lokal, si fjalë sinonime me mendjen mund ta marrin – arbitrarçe – “lapsin” ose “penën”, pra heronj të dijes. Kjo do të çonte drejt ndarjes mes heronjve të penës dhe heronjve të luftës si një ndarje më e kuptueshme dhe më logjike.
Në fakt, një ndarje e tillë arbitrare është zor e përligjshme dhe serioze duke qenë se – folur me terme të Qosjes - në njërën anë lufta evokon veprime që dalin nga një vetëdije e thellë kombëtare, ndërsa në tjetrën ‘pena’ ose ‘dija’ evokon fjalë që dalin nga një vetëdije e thellë kombëtare (në këtë rast).
Kjo pra, na e zbulon një tjetër ndarje brenda mendjes së z. Qosja: veprimi në një anë dhe fjala në tjetrën.
Çka na thotë një ndarje e tillë? Një aludim mund të jetë se z. Qosja po rreshtohet me Ibrahim Rugovën, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ndiqte një politikë ‘fjalësh’ dhe jo ‘veprimesh’ si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Kjo edhe mund të jetë e vërtetë nëse shohim qëndrimin e relaksuar të Albin Kurtit ndaj presidentit historik të Kosovës, dhe e marrim për të mirëqenë se raporti Qosja-Kurti është po aq i afërt si më herët.
“Nga e thëna në të bërë, qëndron një mal i tërë!” – është një ndër thëniet më interesante të popullit. Duket se z. Qosja nuk beson më te një gjë e tillë.
Q O S J A dhe F J A L A
Akademiku i lindur në Vuthaj të Malit të Zi shprehet bindshëm në favor të “heronjve të mendjes” në betejën që ka ndërtuar në mendjen e tij..
“Historia na ka bindur, ndërkaq, se heronjtë e mendjes janë më të qëndrueshëm në kohë sesa heronjtë e luftës.” – konstaton z. Qosja në këtë shkrim.
Për këtë konstatim mund të gjejnë vërejtje historianët e Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, dega Deçan, por mund të gjejnë vërejtje edhe historianë të tjerë me famë botërore.
Qosja vazhdon duke ilustruar atë që thotë me disa shembuj, por të cilët... nuk qëndrojnë.
Ai përmend ata që i konsideron “heronj të mendjes”, ani pse në Greqia e lashtë në fakt është e mbushur dhe stërmbushur me “heronj të luftës”.
Keni dëgjuar për Odisenë (Uliksin)? Ose për Akilin? Ose për Herkulin? Po për Tezeun? E për Atalantan? Orfeun?
K O N T E K S T I dhe K O N T E S T I
Greqia antike, në fakt, konsiderohet si djepi i qytetërimit perëndimor dhe “heronjtë e saj të mendjes” janë heronjtë e krejt perëndimit. Shkurt e shqip, Greqia antike sa i përket “heronjve të mendjes” është e pakrahsueshme dhe nuk mund të merret si shembull i krahasueshëm.
Çka bënin ilirët – nëse e marrim të mirëqenë se ishin para-ardhësit tanë – në kohën kur heronjtë grekë të lartë të mendjes po bënin debatet e tyre dymijë e pesëqind vjet më parë?
Duhet kujtuar që teksti i parë në gjuhën shqipe daton vetëm në shekullin e XV. Për më tepër, analfabetizmi në trojet shqipfolëse ishte (dhe ende mbetet, nëse llogarisim edhe analfabetizmin funksioanl) tepër i lartë.
Për ironi, Qosja nuk përmend asnjë hero të mendjes që është ‘harruar’ nga historiografia apo publicistika shqiptare e kosovare.
A keni dëgjuar për akademikë që formojnë qëndrimet e tyre me ‘llafe kafenesh’ pa u lodhur që të ofrojnë mbështetje faktike? Ndoshta, duhet të ngrisim përmendore edhe për “heronjtë e llafeve të kafeneve”, në mënyrë që të kënaqim akademikun Qosja.
S T A T U S I i z. Qosja:
Heronjtë e luftës dhe heronjtë e mendjes
Heronjtë e luftës, heronjtë e luftës, heronjtë e luftës. Të rëndësishëm, pamatshëm të rëndësishëm, për të sotmen dhe të ardhmen e popullit, që i ka lindur e rritur, për bashkëkohësinë dhe historinë e popullit që krenohet me ta.
Por, përpos heronjve të luftës në të gjitha kohët dhe te të gjithë popujt historikë kanë ekzistuar dhe janë çmuar e adhuruar edhe heronjtë e mendjes.
Si heronjtë e luftës ashtu edhe heronjtë e mendjes në kohë të ndryshme e në vende të ndryshme herë janë dashur e çmuar më shumë e herë më pak. Dhe, kjo varej shumë prej sundimtarëve dhe bashkësundimtarëve të tyre të niveleve të ndryshme, si dhe prej rendit politik, shoqëror e shtetëror që kishin ndërtuar ata.
Si numri i heronjve të luftës ashtu dhe numri i heronjve të mendjes me kohë vjen duke u zvogëluar.
Historia na ka bindur, ndërkaq, se heronjtë e mendjes janë më të qëndrueshëm në kohë sesa heronjtë e luftës.
Shembujt dëshmues janë të shumtë e të ndryshëm.
Greqinë e lashtë, antike, e duam dhe e kujtojmë në radhë të par për shkak të heronjve të mendjes. E kujtojmë dhe e duam për shkak të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Demostenit, Platonit, Aristotelit, Heraklitit. Dhe të një vargu skulptorësh.
Rilindjen e madhe italiane e duam aq shumë dhe e çmojmë aq shumë dhe gjithmonshëm jo për shkak të figurave të saj politike e shtetërore, për shkak të heronjve të paktë të luftëtarëve, që nuk ishin as të shpeshta e as të mëdha në atë epokë sa në epokat e tjera sidomos pas Rilindjes, por për shkak të krijuesve të saj të mëdhenj të letërsisë, të pikturës, të skulpturës, të arkitekturës, siç janë Dante Aligieri, Bokaçio, Petrarka, Leonardo Da Vinçi, Mikelangjelo Buonaroti, Rafaelo e shumë të tjerë.
Rilindjen tonë Kombëtare, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, e duam aq shumë, e çmojmë aq shumë, gjithmonë, mbi të gjitha për shkak të krijuesve të saj, për shak të krijimtarisë së tyre të gjithanshme shpirtërore dhe për një varg arsyesh të tjera si fryt i asaj krijimtarie të tyre të gjithanshme shpirtërore e mendore: për arsye se ata, ata, rilindësit tanë, e ndërtuan Epokën madhështore të Rilindjes sonë Kombëtare, e ndërtuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si organizatë politike, kombëtare, ushtarake, shtetkrijuese e ndërtuan vetëdijen kombëtare të shqiptarëve, e ndërtuan letërsinë kombëtare shqipe, të shkruar me gjuhë të pastër shqipe, të liruar prej fjalëve të huaja për të cilat shqipja kishte fjalët e veta, e ndërtuan politikën dhe diplomacinë kombëtares shqiptare, me të cilat e bënë me dije Botën për të drejtat që do të duhej të kishin dhe për qëllimet që donin të sendërtonin, e ndërtuan programin politik kombëtar për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar të Shqipërisë, e mblodhën krijimtarinë shirtërore të popullit prej fillimeve të krijimit të saj dhe ia treguan Evropës me vepra të botuara, e krijuan Alfabetin latin të gjuhës shqipe në Kongresin e lavdishëm të Manastirit, e krijuan Himnin kombëtar dhe, më në fund, e krijuan Shtetin shqiptar –Shqipërinë, në vitin 1912, në Vlorë.
Dhe, kështu, ata, Rilindësit tanë, Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Hoxha Tahsini, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Anton Zako Çajupi, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Ismail Qemali e shumë të tjerë, arritën të sendërtojnë qëllimin e tyre madhështor: krijuan shqiptarin kombëtar, atdhetar, dhe krijuan Shtetin e tij – Shqipërinë.
Prej të dhënave që u sollën këtu për Rilindjen tonë Kombëtare, përkushtimi ndaj së cilës është pakësuar në këtë kohë të sunduar prej interesave përfituese, financiare, dhe prej të gjitha të dhënave që u sollën në të gjitha njësitë e këtij shkrimi shihet, besoj, se përpos heronjve të luftës kemi edhe heronjtë e mendjes. Të harrosh heronjtë e mendjes, siç po ndodh në këtë kohën tonë në Kosovë e në Shqipëri, të cilët historikisht, na mëson historia, janë më jetëgjatë se heronjtë e luftës, do të thotë: të veprosh e të luftosh fort kundër vetvetes.