Heqja e sanksioneve, opozita mirëpret vendimin e BE-së: Po përgjegjësinë pse ishim nën masa për 900 ditë kush do ta mbajë?
Opozita e ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar se ky është një lajm i mirë për Kosovën.
Megjithatë, ata kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria Kurti për futjen e vendit nën sanksione për 900 ditë.
Ndër të parët që e ka përshëndetur vendimin e BE-së ka qenë kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie.
“Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka shkruar ai.
Vendimi është mirëpritur edhe nga nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka bërë me dije se përgjegjësinë për vendosjen e masave për 900 ditë duhet ta mbajë dikush.
“A i keni parë mashtruesit tek lavdërohen për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Po përgjegjësinë se ishim nën masa plotë 900 ditë kush do ta mbajë? Për gati tri vjet Kosova humbi mundësinë t’i shfrytëzoj mbi 600 milionë Euro projekte, lë anash koston e imazhit të vendit e cila s’mund të matet me asnjë vlerë montare”, ka shkruar ajo, duke i përmendur projektet që janë prekur nga këto masa.
“Këtu po i listoj vetëm vetëm 5 projekte (vetëm në tri fusha: 1.ujë të pijshëm, 2.trajtim i ujërave të zeza, ricikilm i mbeturinave dhe 3.bujqësi) të cilat për shkak të qeverisjes Kurti që na solli deri ta masat ndëshkuese të BE-së nuk kanë ndodhë në 2023, as në 2024, as në 2025 dhe ende nuk dihet nëse do të fillojnë në 2026-të. Shuma e financimit vetëm për këto projekte është rreth 293 milionë Euro”, ka shkruar Bajrami.
Çka tha BE-ja?
Bashkimi Evropian (BE) dje vendosur të lëviz në drejtim të heqjes se masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kjo do t’i mundësojë Kosovës në fillim të muajit të ardhshëm të përfitojë miliona euro ndihmë financiare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka bërë me dije se ky vendim ka ardhur pas kalimit të pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veri.
“Falë kësaj, më vjen mirë të njoftoj se ne do të lëvizim përpara për heqjen e masave ndaj Kosovës. Ne do të programojmë 216 milionë euro asistencë financiare dhe synojmë që të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar ajo në rrjetin X.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se Kosovës do t`i hiqen masat ndëshkuese
Pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
"Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit", ka thënë ajo.
Në fillim të kësaj jave, Bashkimi Evropiane kishte hequr gjysmën e masave. Nuk ishte e qartë nëse ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji.
Kjo pasi disa vende të BE-së si Franca, Italia, Spanja, Hungaria dhe Sllovakia hezitonin ta bënin një gjë të tillë.
Ndonëse prej vitesh zyrtarët e Kosovës kanë kërkuar largimin e këtyre masave, ato nuk ishin hequr.
Heqjen e këtyre masave në mënyrë zyrtare e kishin kërkuar edhe liderët e opozitës në Kosovë.
Këto masa ndëshkuese ishin vendosur në qershor të vitit 2023, pas veprimeve të njëanshme të Qeverisë në veri të vendit.
Masat në fjalë i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar.