Haziri: Kurti nuk u konsultua me opozitën para se të nisej në Bruksel
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për moskonsultim me opozitën për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se kryeministri ka shkuar në takimin e sotëm pa folur me partitë opozitare.
“Nuk ka dialog politik në Kosovë, s’ka dialog as me sindikata dhe nuk ka dialog të brendshëm me komunitete etnike. Pakicat po luajnë një rol të madh në Ballkan. Për problemet me Serbinë, Kurti duhet të konsultohet me partitë politike – së paku me ato që janë në parlament”, ka thënë Haziri për Klan Kosova.
Sipas tij, Qeveria nuk duhet ta ftojë opozitën pasi të ndodh diçka në këtë proces.
“Mos të na ftojnë në një situatë pasi të ndodh diçka në Kosovë. Duhet t’u paraprihet evitimit të problemeve”, është shprehur Haziri.