Haxhiu: Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti prezantoi planine tij për deeskalimin e situatëës në veri.
Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime.
“Pas angazhimit të madh nga ana e policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre.” – ka shkruar ajo.
Tutje, Haxhiu ka thënë se nuk duhet të tolerohen sulmet ndaj policisë, mediave e pjesëtarëve të KFOR-it.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen apo neglizhohen aktet e kriminale të grupeve kriminale. Sulmet ndaj policisë, mediave apo anëtarëve të NATO-s dhe veprimet që cenojnë rendin kushtetues nuk duhet të normalizohen por të ndiqen e të dënohen.” – u shpreh tutje ajo.
Veç kësaj, Haxhiu ka thënë se disa prej pjesëtarëve të grupeve kriminale janë në paraburgimm, por në tre raste janë liruar në procedurë të rregulltë.
“Disa nga pjesëtarët e grupeve kriminale janë në paraburgim, por janë edhe tre raste të personave të dyshuar që janë liruar në procedura të rregullta. Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel, të ndiqen dhe gjykohen për veprimet e tyre kriminale.” – ka thënë ajo.