Haxhiu pas emërimit të Gërvalles: Apel kryeministrit Kurti mos ta bëjë RTK-në altoparlant të Qeverisë së tij
Aktivisti i devotshëm i LVV-së, Rilind Gërvalla është zgjedhur drejtor i televizionit në RTK. Me tetë vota pro, të gjithë anëtarët e bordit të transmetuesit publik, është miratuar emërimi i Rilind Gërvalles në këtë pozitë. Por për emërimin e Gërvalles pati reagime të ndryshme nga shoqëria civile e deri tek opozita.
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga kryeministri Kurti që ta shkarkojë Gërvallen me arsyetimin se ai u emërua politikisht.
“Kapja e RTK-së militanti politik nga financuesi i RTK-së Rilind Gervalla. Ftoj Vetëvendosjen që menjëherë ta shkarkojë,”.
Haxhiu tha se emërimi i Gërvalles është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.
“Emërimi i tij është në kundërshtim me Ligjin për RTK-në. Kërkoj nga Bordi që menjëherë ta shkarkojë. Dhe i bëj apel kryeministrit që mos ta përdor transportuesin publik si altoparlant të Qeverisë së tij,’- tha Haxhiu.
E në shenjë pakënaqësie për emërimin e Rilind Gërvalles si drejtori i televizionit në RTK kanë zhvilluar një aksion brenda ambienteve të televizionit edhe përfaqësues së PSD-së.
Të mërkurën në mbrëmje , lajmet Qendrore në Televizionin Publik të Kosovës, janë penguar nga Partia Social Demokrate, e cila ka protestuar me pankarta në duar.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka publikuar pamje nga futja e aktivistit, Nol Nushi me një pankartë në duar në të cilën shkruhej 'Televizioni i Kurtit'.
Duket se kjo ishte mënyra e PSD-së për të protestuar pas emërimit të Rilind Gërvalles në krye të RTK, pasi që ky i fundit për disa vite ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
