Haxhiu kritikon KPK-në dhe KGJK-në: Dëm i madh nëse pranojnë rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka patur kritika ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me mbajtjen pezull të dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të dorëhequr në nëntor të 2022’ës.
Haxhiu u shpreh kundër pranimit të rikthimit të tyre – siç ka kërkuar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Është e papranueshme koha e gjatë që është pritur në këtë drejtim, sepse e policinë ka pasur zëvendësime. Nuk ka asnjë rast kur një gjyqtar ka dhënë dorëheqje dhe nuk i është pranuar dorëheqje. Mund të ma konfirmojnë ata këtë. Por, kjo po ndodh këtu. Pse KPK dhe KGJK nuk po e adresojnë këtë?”, tha Haxhiu në RTK.
“Brenga ime është se nëse ata i pranojnë rikthimin e tyre në institucione, kjo është në shpërputhje me legjislacionin dhe rregullat, por edhe besimi që qytetarët do ta kenë në këta gjyqtarë dhe prokurorë. Qytetarët e dinë se janë gjyqtarë ndikohen nga urdhërat e një presidenti të një shteti tjetër. Kjo do të jetë dëm i madh”, shtoi ajo.
“Në Republikën e Kosovës nuk kemi asnjë rast të një gjyqtari shqiptar, apo të një komuniteti tjetër, të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe janë pritur kësisoji kaq gjatë. Prej kohës kur kanë dhënë dorëheqje ka kaluar kohë e gjatë. Legjislacioni në fuqi nuk parasheh diçka të tillë... Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial duhet të japin përgjigjet e tyre se pse nuk kanë vepruar në raport me dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Unë e kuptoj sfidën me konkurset që shpalle, qoftë nga KPK ose KGJK, aplikojnë pak serbë...”, tha Haxhiu.