Haxhiu ia kujton Osmanit kohën kur mbronte Martin Berishajn: S’është gjetur asgjë, kemi folë, bile edhe ajo - NACIONALE

Haxhiu ia kujton Osmanit kohën kur mbronte Martin Berishajn: S’është gjetur asgjë, kemi folë, bile edhe ajo

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar edhe një herë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i pafajshëm, kjo pasi presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ai duhet të lirohet nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.

Haxhiu në një konferencë për media të mërkurën është pyetur mbi deklaratat e presidentes të Kosovës, duke thënë fillimisht se nuk është gjetur që ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ne kemi thënë qëndrimet tash e sa kohë për ambasadorin Berishaj, ka pasur një Komision Hetimor që nuk u gjet asgjë, duhet të merren parasysh këto aspekte. Në anën tjetër, vlerësojmë që nuk ka pasur aq kepërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë, as pasurim material.” ka thënë ajo, transmeton Nacionale.

Tutje, Haxhiu i ka kujtuar Osmanit kohën kur edhe vetë ajo, njëjtë si Qeveria, mbronte ambasadorin Berishaj.

“Kemi folur disa herë për të, edhe Kurti edhe Gërvalla, edhe presidentja Osmani më herët, nuk kam se çka t’i shtoj deklaratave tona.” – tha ministrja e Drejtësisë.

Qëndrimet e Osmanit

Në mes të shumë kritikave që dha ndaj Qeverisë, Osmani gjatë një interviste të dhënë të dielen në "Kallxo", dha një qëndrim ndryshe nga sa kemi parë rreth rastit të ambasadorit, që dyshohet për skandal financiar në energji.

Presidentja e vendit deklaroi se ai është mirë që të largohet nga detyra:

“Është mirë të largohet. Unë dua që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë në krye në vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheq vet. Në takime të përbashkët që i kemi bë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”.

Osmani në kohën kur ishte zbuluar skandali financiar me Martin Berishajn, kishte sulmuar mediat dhe i kishte dalë në mbrojtje ambasadorit Berishaj.

“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore.

Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua.” – kishte thënë ajo.

Lajme të ngjashme