Haxhiu demanton zëvendësin e saj Sallahun: Ai thoshte se Faton Hajrizi ishte larguar, kjo deklaron se ai u arratis
Sot një javë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media foli për arratisjet nga burgjet e Kosovës, mes tyre edhe Faton Hajrizi, tashmë i ndjerë. Numri dy i kësaj ministrie, do t’i shmangej termit “arratisje”, duke insistuar se Hajrizi dhe personi tjetër, janë “larguar”. Ministrja Albulena Haxhiu ndërkaq, sot ka konstatuar se ai ishte arratisur në fakt, dhe termin, e ka përdorur katër herë brenda të njëjtit shkrim.
Blerim Sallahu në konferencën e para një jave, insistoi se Hajrizi është “larguar” nga qendra korrektuese, pasi siç deklaroi ai, po mbahej në institucionin e tipit të hapur
“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta.
Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – kishte thënë ai, transmeton Nacionale.
Në një postim të ditës së sotme ndërkaq, i cili po komentohet shumë e njëkohësisht edhe po kritikohet, Albulena Haxhiu thotë se ai është arratisur. “Arratisjen” ajo e përmend katër herë në shkrimin e saj.
“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.”
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
“Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.
Vlen të theksohet se avokatët i kishin reaguar Sallahut në lidhje me deklaratat e tij, duke i thënë se termi i përdorur nga ai nuk qëndron.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, avokati Ardian Bajraktari ishte shprehur:
“Sa i përket çështjes, arratisje apo largim, një terminologji e tillë (largim) nuk haset as në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale e as në Kodin Penal. Referuar Kodit tonë penal, përkatësisht nenit 397, Arratisja e personit të privuar nga liria, është vepër e veçantë penale, nen ky i cili në paragrafin 1 thekson se: Kushdo që arratiset nga institucioni ku gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, denohet me burgim deri në tre (3) vjet burgim”.