Haxhiu deklarohet para seancës, akuzon opozitën se po bën përpjekje që ta çojë vendin në zgjedhje
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka folur para Kuvendit të Kosovës në lidhje me shkeljen e Kushtetutës, pasi seanca u thirr pas afatit.
Ajo para seancës së sotme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se vitin e kaluar deri në konstitum kanë kaluar 160 ditë.
“Në vitin e kaluar, prej momentit kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, e deri në konstituim kanë kaluar diku 160 ditë — pra jo 30, po 160 ditë. Po t’u heqim këtu ditët kur çështjet kanë qenë duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, janë gjithsej diku 59 ditë. Pra, nuk është konstituar as vitin e kaluar seanca brenda 30-ditëshit”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu ka akuzuar partitë opozitare se po bëjnë përpjekje që ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Në rrethanat aktuale, ju e dini që në momentin që të konstituohet Kuvendi, vlen afati pastaj për zgjedhjen e presidentit prej 60 ditëve. Duket që ka një përpjekje, që unë s’po e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por e kanë gabim. Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj që ka shumë gabim, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, është shprehur Haxhiu.
Tutje, ajo ka thënë se “kushdo që ka problem me seancën e sotme, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”.
“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini që vitin e kaluar e kanë bërë në vazhdimësi. Prandaj edhe sot, në qoftë se nuk pajtohen me thirrjen e kësaj seance, e kanë mundësinë që ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar këtë seancë si çështje kushtetuese për shkak se bëhet fjalë për konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.