"Hashim Thaçi ka qenë pjesë e grupit të Adem Jasharit"
Kur flitet për luftën në Kosovë, padyshim se emri i tij është një nga të lakuarit.
Bëhet fjalë për ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tani i ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale.
Thaçi sonte në Ditën e Flamurit është përmendur nga Xhevahir Geci, një prej ushtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Siç ka thënë Geci, nuk ndihet mirë kur tentohet të kontestohet kontributi i luftëtarëve. Gjithashtu, ai konfirmoi faktin se Thaçi ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së.
“Hashim Thaçin e kam njoftë, ka qenë pjesë e jona e celulave të para të UÇK-së. Kadri Veseli po ashtu. Aksionet e para ata i kanë marrë në Drenas, Runik. Hashim Thaçi është një gjeneratë më e re se unë, ’67. Ka qenë pjesë e grupit të Adem Jasharit.
Pjesë e aksioneve në Drenas e Runik ka qenë edhe Hashim Thaçi.Ka qenë pjesë e vijave të fronit të luftës, celulave të para të UÇK-së. Në Runik, Thaçi ka qenë koordinator i aksionit”, pohoi fillimisht Geci në Pressing.
Veç kësaj, ai dha edhe detaje shtesë, duke vlerësuar se Thaçi ka qenë pjesë e gjithçkaje, ndërsa për komandant e kanë njohur Adem Jasharin.
“Kontestohet prej njerëzve të politikës, që nganjëherë s’të bëjnë të ndihesh mirë. Ka qenë pjesë e gjithçkafit, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Kadri Veseli e komandanti Adem Jashari. Komandant e kemi njoftë Adem Jasharin”, shtoi tutje Geci.
Për rrugëtimin politik të ish-kreut të PDK-së ka folur goxha gjatë edhe gazetari Berat Buzhala.
Buzhala, në një "podcast" të publikuar kohë më parë, kishte treguar se si Thaçi qysh në rininë e hershme kishte filluar të veçohej nga shokët, pra të dallohej, kur veçse kishte filluar kontaktet e para diplomatike.
“Ai [Thaçi] pas vendosjes në Zvicër kishte filluar, që përveç aktivitetit partiak në LPK, përveç radikalizimit të gjuhës, duke e favorizuar luftën në kurriz të paqes, t’i vendoste edhe kontaktet e para diplomatike. Dikush thotë me shërbimet sekrete perëndimore, dikush me diplomatët perëndimorë, por pa marrë parasysh se cila është e vërteta, Thaçi po e bënte dallimin me shokët e tjerë”, pat thënë Buzhala.
Skandal special II
Pas avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, edhe avokati i Thaçit Gregory Keohe ka ngritur alarmin.
Të dy bashkë, kanë dorëzuar ankesë në lidhje me një aferë ku dyshohet se janë përfshirë disa dëshmitarë, që kanë ofruar deklarata të rrejshme kundër ish-krerëve të UÇK-së. Kjo duke i ndërlidhur ata me dosjet e publikuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
Avokati i Thaçit në një parashtresë të dorëzuar te gjyqtari i procedures paraprake, ka kërkuar të zbulohen të gjitha detajet lidhur me një dëshmitar që e kishte akuzuar Thaçin e Veselin se kanë paguar shuma të majme parash, kinse për t’i zbuluar dosjet e Prokurorisë së Hagë.
“Mbrojtja kërkon të zbulohet çdo informacion në ruajtje, kontroll ose njohuri aktuale të Prokurorisë së Specializuar që ka të bëjë me [REDAKTUAR], në përputhje me Rregullën 103 të Rregullave. Ky dëshmitar [REDAKTUAR] me qëllim që të ofrojë informacione të rreme inkriminuese kundër z. Thaçi dhe z. Veseli. [REDAKTUAR] u intervistua për herë të parë nga Prokuroria [REDAKTUAR]. Ai fillimisht pretendoi se [REDAKTUAR], i afërt me z. Thaçi dhe z. Veseli, u takua me [REDAKTUAR] dhe bëri një marrëveshje me të, në emër të z. Thaçi dhe z. Veseli, në bazë të së cilës [REDAKTUAR] do t'u jepte atyre informacione të caktuara. [REDAKTUAR] tha se dokumentet në fjalë ishin [REDAKTUAR]. Dokumentet më pas supozohej se ishin shkëmbyer në kufirin Kosovë/Serbi me njerëzit e z. Veseli, rreth 2 muaj para intervistës së [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit që e ka siguruar Nacionale.



