Hasani thotë se po shantazhohet nga dekani Puka, i shkruan letër Prokurorisë Speciale - NACIONALE

Hasani thotë se po shantazhohet nga dekani Puka, i shkruan letër Prokurorisë Speciale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka dërguar një letër në drejtim të Këshillit të Etikës dhe Prokurorisë Speciale, në lidhje me denoncimin që Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik të UP-së, ia bëri ditë më parë. Para se t’u shkruante letër, Hasani gjatë një prononcimi të shkurtër e kishte cilësuar akuzën e Pukës si të “sajuar”, duke e quajtur “huliganizëm institucional dhe abuzim me pushtetit” për t’ia mbyllur gojën.

Në letrën e tij, Hasani ka thënë se ndihet i shantazhuar, ndërsa ka kthyer përgjigje edhe në akuzën e Pukës, i cili ditë më parë pretendoi se Hasani nuk ka marrë pjesë në ligjerata gjatë vitit akademik të kaluar.

Tutje, ai e ka akuzuar Pukën se po dëshiron mbylljen e gojës për rastin e diplomës së dekanit, të cilën e konsideron si “false”.

…, pra kërkoj me urgjencë që të përcaktohet saktë përgjegjësia penale eventuale për çdokënd, përfshirë mua. Ky shantazh synon mbylljen e gojës sime për rastin e diplomës së tij fals që e ka lëshuar në qarkullim dhe ka përfituar nga ajo kundërligjshëm. Për pjesën tjetër të denoncimit, mbetem i gatshëm që, në seancën e parë (pasi të rregullohet çështja procedurale e përjashtimit të zotit Iset Morina sipas fuqisë ligjore – meqë konflikti i interesit që ka përcaktuar qartë ligjvënësi kosovar në kët rast, është pengesë absolute në çdo rast kundër meje nga ana e këtij Këshillit të Etikës), të ofroj çdo sqarim për pjesën e mbetur të denoncimit të Avni Pukës dhe çdo gjë tjetër. U mor vesh nëse ju konsideroni se pjesa tjetër ka dimensione etike. Pra, për atë pjesë, jam i gatshëm kurdo të paraqitem e të jap sqarime” – ka shkruar Hasani, transmeton Express.

Edhe në letrën për Prokurorinë Speciale, Hasani ka përmendur çështjen e diplomës së Pukës.

Unë kam prova të pamohueshme dhe origjinale nga Fakulteti Juridik i Universitetit “La Sapienza” që provojnë se Avni Puka nuk ka doktoratë valide nga atje, në sensin që e ka thënë vetë dhe ashti si e ka përdorur në raportin për avansimin e tij në thirrjen e fundit akademike. Këto prova i ofroj në prokurori kurdo që më kërkohet, sepse vendosja juaj nuk mund të absorboj veprën penale” – ka shkruar tutje ai.

Në lidhje me akuzën për mospjesëmarrjen në ligjerata, Hasani ka shkruar se kishte një leje nga rektori i UP-së, Qerim Qerimi.

Deri të vendoset nga organi i akuzës , ju nuk mund të ndërmerrni asnjë veprim. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se një person më një sëmundje si puna ime nuk ka mund të ketë telashe me etikë përgjatë vitit 2023-2024. Nuk mund të ndaj me ju natyrën dhe intensitetin e sëmundjes sime, për shkak të privatësisë. Këtë sigurisht që do e bëj me kënaqësi me organin e akuzës, kurdo të ftohem, u mor vesh brenda situatës shëndetësore që të gjendem ditën e ftesës. Atyre do t’u tregoj se ka pasur një leje me shkrim nga rektori Qerim Qerimi, më datën 20 prill 2023 , mbi bazën e të cilës kam vepruar unë dhe kolegët e Katedrës Ndërkombëtare dhe që është vënë në jetë me vendim të Këshillit Mësimor Shkencor të vitit akademik 2023-2024. Këto mbesin për sqarim te organi akuzës”, thuhet tutje në kërkesë.

Sjellim ndër mend që ditë më parë, Puka pretendoi se Hasani ka përfituar 15 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme. Në letrën e Pukës për Këshillin e Etikës, Hasani akuzohej se nuk e ka mbajtur asnjë ligjeratë gjatë vitit akademik 2023/2024.

Lajme të ngjashme