Hasani: Sajimi i rastit nga Puka përbën huliganizëm institucional dhe abuzim me pushtetin
Në një prononcim të fundit për RTK-në, profesor Enver Hasani ka adresuar akuzat e bëra ndaj tij nga dekani Avni Puka, i cili e ka raportuar në Këshillin e Etikës për gjoja mungesë të ligjëratave.
Hasani i quajti veprimet e Pukës si një formë "huliganizmi institucional" dhe shpërdorim pushteti, duke përsëritur pretendimet e mëparshme se Puka kishte kryer plagjiaturë dhe mashtrim në marrjen e doktoraturës.
“Mund të them për sa vijon: Sajimi i rastit nga Avniu përbën huliganizëm institucional dhe abuzim me pushtetin, me të vetmin synim që unë ta mbyll gojën e të mos flas më për diplomën e tij false”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, dekani Avni Puka ka thënë Hasani ka përfituar mbi 15 mijë euro në mënyrë të kundërligjshme.
“Siç e keni parë edhe Ju, z.Enver Hasani është denoncuar, ndër te tjera, edhe për mosmabajtje të ligjëratave dhe mashtrim te institucionit. Meqenëse ne monitorohemi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) për mbarëvajtjen e mësimit dhe programeve, ky rast është konstatuar edhe nga Agjencia, se z. Hasani nuk ka mbajtur mësim gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024, e duke përfituar pagesa per normë dhe mbinormë”, ka thënë dekani Puka.