Haradinaj tregon një ndodhi të rrallë: Një herë nipi iu ka qitë hoxhallarëve raki
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar fotografinë e shumëpërfolur me kryeministrit Albin Kurti, ku gjaët mujit të Ramazanit shiheshin duke “cakërruar” gotat e rakisë.
Ai ka shpjeguar shërbimi i mysafirëve me raki në Dukagjin është traditë.
Në emisionin “Pressing”, ai ka treguar se ata që nuk pinë raki shërbehen me ujë.
“Tradita në Dukagjin, populli e di si është. Te na, kur dikush vjen, para se me ta bo një kafe, ka edhe që nuk e pinë rakinë, ata që janë ma besimtar, ma fetar. Por shumica e familjeve në Dukagjin për mikpritje e ki një uji rakie, pastaj një kafe, ose shtrohet sofra. Është diçka që të na është e zakonshme”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka bërë me dije se kryeministri ka mundur të të pi vetëm ujë.
Madje, ai ka treguar një rast interesant ku nipi i tij me raki i ka shërbyer edhe hoxhallarët.
Megjithatë, këta të fundit e kanë refuzuar rakinë, e cila në fenë islame është e ndalura.
“Ai ka pas në opsion edhe ujin. Ka ndodhur një herë nipi iu ka qitë hoxhallarëve, sepse nuk e ka ditë që janë, sepse ai ka qenë i ri. Dhe ata i kanë thënë: jo bacës që na me ujë. Ne nuk e forcojmë dikën me e çu me raki. Sepse kemi njerëz që thonë jam me antibiotik, ose kam me vozitë, nuk e nguc kush. Por vizita e tij edhe për mua ke interesant, sepse unë nuk e kam pritur që vjen. Dy ditë përpara na kanë informua që vjen”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, Haradinaj ka treguar se mediat në atë rast i kishte ftuar kryeministri.
“Ne nuk kemi pasur media, kryeministri ka ardhur me media. Ne as fotografi nuk i bëjmë dikujt, ju e keni parë se shumë pak del prej Gollganit, sepse i respektojmë ata që vijnë. Por kryeministri erdh me media”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka bërë me dije se në “Epope të Dukagjinit” e pret çdo kënd.
“Në përvjetor të Epopesë së Dukagjinit nuk kemi parti. Unë atëherë nuk kemi pasur identitet partia, kam qenë UÇK. Në atë përvjetorë ne e respektojmë këdo që vjen. Është i mirëseardhur çdo kush. Ne e mirëpresim që ka ardhur kryeministri që ka ardhur në epope. Kanë ardhur edhe kryeministrat tjera më herët, ose president, kanë ardhur president e kryeministra nga Shqipëria. Nëmësoheshit ne kemi dhe aleatë e miq të sigurisë që na vizitojnë”, ka thënë Haradinaj.
Versioni i Kurti për takimin
Ditë me parë edhe kryeministri Albin Kurti e kishte komentuar fotografinë dhe takimin në Gllogjan me të parin e AAK-së.
I pari i qeverisë kishte deklaruar se do të ishte gabim të mos i cakërronte gotat.
“Nëse e ka fjalën për atë dollinë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ajo ishte, se unë s’pe di për çfarë dollie tjetër e ka fjalën, nëse e ka për ndonjë tjetër, le të më tregojnë pas emisionit. Ajo ishte në 25 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, pra ishte një situatë e jashtëzakonshme dhe aty zoti Haradinaj, i cili është edhe pjesëmarrës në atë ballafaqim të ashpër me Serbinë, ai ishte i zoti i shpisë. Pra unë kam mundur të mos shkojë, por mendoj që kish qenë gabim të mos shkojë. Nëse kam shkuar, atëherë është gabim të mos cakërroj gotat. Pra unë besoj që kam vepruar mirë, sepse Epopeja e Dukagjinit është lavdi, jo vetëm e familjes Haradinaj, por e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm e Kosovës” – deklaroi Kurti.