Haradinaj: T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë të civilizuar, pa barrikada e pa urrejtje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar një stauts në Facebook, ku ka kërkuar që festat e fundvitit të na gjejnë në festë si njerëz të civilizuar, si evropianë, e jo të barrikaduar e me urrejtje për njëri tjetrin.
Haradinaj, ka përmendur të drejtat e serbëve në Kosovë, të cilat janë të inkorporuara në Kushtetutën e Kosovës e në ligjet e saj, duke thënë se shpeshherë kemi të bëjmë me të drejta të avancuara, duke iu siguruar serbëve një jetë sa më të mirë në vendin tonë.
Tutje Haradinaj, përmend faktin se shteti i Kosovës për 20 vjet, u ka paguar edhe rrymën këtyre qytetarëve të cilët tash po barrikadohen, në veri të vendit, duke lutur miqtë e aleatët, të bëjnë një zgjidhje, në mënyrë që të hiqen barrikadat, e qytetarët të jetojnë e festojnë të qetë.
Postimi i plotë i Haradinajt:
T’i kalojmë festat e fundvitit në qetësinë familjare e jo në barrikada
Serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti po u shkaktojnë dëm atyre. Nuk ka një tjetër rast në kontinentin evropian, (përjashto agresionin rus në Ukrainë), ku pengohet lëvizja e njerëzve, pos në veri të Kosovës.
Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara.
Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë.
Nuk besoj se ka një rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës.
Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.
I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.
Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë.
T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin.
Miqësisht Ramush Haradinaj