Haradinaj: Takimi Kurti-Vuçiq nuk është i kotë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e ka vlerësuar si të kotë takimi e sotëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ku ka folur për pritjet e këtij takimi, Haradinaj ka thënë se shpresën e ka tek i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas tij, takimi i radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit duhet të jetë në Shtëpinë e Bardhë në Uashntotn për marrëveshjen finale.
“Nuk është i kotë, për shkak se këto situata nuk janë pronë e dy njerëzve, nuk është pronë e Albinit, as e Vuçiqit. Por, jemi interesa të palëve të mëdha, që këta njerëz ta rrezikojnë investimin ndoshta çerek-shekulli ndoshta, për sigurinë në Ballkan edhe për përmbyllje të çështjeve të hapura që kanë mbetur në Ballkan. Unë besoj se z. Escobar, sidomos kam shpresë shumë te ai, se e kam pa presionin ata se sa jep rendësi kësaj çështjeje, besoj që do të kërkojë rezultate konkrete nga ky takim edhe unë mendoj jemi afër një takimi në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Biden. Unë mendoj se ajo e radhës që duhet të ndodhë pas këtij takimi, nuk ka mbetë diçka tjetër përpos me riciklu është që Kurti edhe Vuçiq thirren në Uashington për nënshkrim të marrëveshjes për përmbylljen e asaj që po quhet normalizim mes dy vendeve me njohje reciproke”, ka thënë Haradinaj.