Haradinaj nga Austria: Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona
Kreui i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e vizitës së tij në Austri, ka kujtuar kontributin e diasporës për Kosovën, duke thënë se themelet e vendit janë hedhur me punën e përkushtimin e saj.
Duke e cilësuar diasporën si vlerë të pakontestueshme të vendit, Haradinaj ka njoftuar se përveç takimit me kryesinë e AAK-së në qytetin e Graz-it, ka vizituar edhe bizneset në pronësi të bashkëatdhetarëve tanë.
"Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona! Në kuadër të vizitës sime në Austri, takova kryesinë e Degës së AAK-së në qytetin e Graz-it, e udhëhequr nga Hysen Krasniqi. Kënaqësi e veçante ishte vizita tek bizneset që janë në pronësi të bashkatdhetarëve tanë, ku përjetova nga afër suksesin e tyre,”- ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Tutje ai ka treguar se është takuar edhe me personalitete të shquara nga shoqatat shqiptare, arkitektë, studentë, ekonomistë e afaristë të shumtë.
Haradinaj ka përfunduar duke thënë se: “Themelet e shtetit të Kosovës janë vënë edhe me punë e përkushtim të mërgatës shqiptare. Bashkë, siç kemi qenë edhe në kohërat më të vështira, do të jemi edhe në punët që na presin!”
