Haradinaj: Kosova të procedojë me Asociacionin në këmbim të garancive për anëtarësim të përshpejtuar në NATO
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar që Kosova të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si kundërvlerë për procedimin me Asociacionin, garanci për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në NATO, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.
Ai shtoi se në rast të udhëheqjes së tij, do të vepronte "në kontratë bilaterale me SkBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n."
"Po duhet, por Asociacioni është diskutuar gjatë dhe dikur ka qenë kundërvlerë e njohjes nga Serbia, pra kundërvlerë, Kosova procedon me Asociacionin, Serbia e njeh Kosovën. Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë. Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n." - tha ai.