Haradinaj sqaron pse e mbështeti planin evropian: Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme - NACIONALE

Haradinaj sqaron pse e mbështeti planin evropian: Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit.

Haradinaj ka shkruar se propozimi evropian ka marrë mbështetjen e tij dhe të AAK-së, pasi sipas tij e vlerëson se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe 'de jure' të Kosovës.

“Mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e jashtëzakonshëm të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit. Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin. Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe 'de jure' të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral.” – ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, dhe sipas tij duhet të kërkohet një unitet politik.

Haradinaj ka thënë se ka kohë për disktuime me Kryeministrin dhe qeverinë e tij “katastrofike” në planin e brendshëm.

Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin. Gjithmonë do të kemi kohë t'i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses. Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike.” – ka shkruar Haradinaj.

Lajme të ngjashme