Hapje “disa orë në ditë” e Urës së Ibrit si fazë e parë? - NACIONALE

Hapje “disa orë në ditë” e Urës së Ibrit si fazë e parë?

1 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Një hapje “disa orë në ditë” si fazë e parë e hapjes së Urës së Ibrit, kupton gazeta Nacionale, mund të jetë njëra nga opsionet që po shqyrtohet seriozisht në diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe QUINT-it.

Kjo si një ‘kompromis’ nisës mes dy pozicioneve diametralisht të kundërta: në njërën anë KFOR-it që s’ka dhënë kurrëfarë indikacioni të zhvendosjes së pranisë së stacionuar të saj mbi Urën e Ibrit dhe qeverisë kosovare që hapjen e saj e ka dhënë për fakt të kryer; si “çështje të mbyllur, vendim të marrë” (Sveçla).

Nacionale ka provuar të marrë një konfirmim nga Qeveria e Kosovës se a po diskutohet kjo “hapje disa orëshe në ditë...si fazë e parë”; për të mos marrë as konfirmim e as demantim. Kontaktuam edhe BE-në edhe një vend të QUINT-in, gjithashtu për të mos gjetur konfirmim e as demantim. Njëjtë edhe nga Presidenca, as pohim e as mohim.

Sipas këtij skenari në vend të bllokadës së betonit në pjesën fundore (veriore) të Urës së Ibrit paramendohen të vendosen bllokada automatike që aktivizohen në nivel të rrugës: i.e hapen/mbyllen në kohën e caktuar të lejuar.

Hapja e Urës së Ibrit thjesht-ashtu e synuar nga Qeveria e Kosovës gjeti rezistencë të madhe ndërkombëtare, e madje, siç kupton Nacionale, KFOR-i do të mund të merrte qasje “vazhdimisht bllokuese” nëse do të hapej ura krye-më-vete. Megjithatë, duket se bisedimet kanë marrë një trajtë të gjetjes së një mesi.

Supozohej që me t’u kryer vlerësimi teknik i qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit, do të procedohej me hapjen e saj; por që qëndrimet e rrepta kundër nga QUINT-i bënë që Qeveria e Kosovës atë raport ta frazojë veçse si “raport preliminar”.

QUINT-i dhe KFOR-i nuk janë shprehur kundër hapje së urës per-se, por vetëm në mënyrën e zgjedhur të qeverisë kosovare e cila, siç rëndom bën, kishte flakur tutje çfarëdo shqetësimi sigurie të artikuluar nga ta.

Bashkimi Evropian beson madje beson ta fus atë edhe në agjenden e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel; ndonëse çështja e saj supozohet të jetë konkluduar qysh në vitin 2016.

Qeveria e Kosovës e jep për fakt të kryer, pa-një-pa-dy, se hapja e Urës së Ibrit është punë që do të bëhet gjatë kësaj vere, por pa dhënë datë të saktë. Akuza kanë lëshuar në drejtim të BE-së, për çka thonë se i kanë ndryshuar qëndrimet rreth hapjes.

Ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak, doli me një demant duke thënë se akuzat e tilla janë “mashtruese” ngase, sipas tij, BE nuk ka ndryshuar asnjëherë pozicion.

Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmëritë e pakicave. Do të diskutojmë se si ta zbatojmë marrëveshjen për hapjen e Urës së Ibrit në takimin tjetër në dialog”, ka shkruar Miroslav Lajçak.

Tonet janë mprehur ditë e më shumë, kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se qeveria kosovare në planin e saj të hapjes “nuk merr parasysh rreziqet” që mund t’u kanosen ushtarëve të KFOR-it dhe atyre amerikanë.

Njëjtë tha edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila me të pranuar raportin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikimin e jetëve të ushtarëve amerikanë, ngriti pyetjen se në interes të kujt është që polici kosovar dhe ushtari amerikan të konfrontohen ballë për ballë?

Lajme të ngjashme