Hapja që “nuk bëhet fjalë” e Urës së Ibrit: A ndërruan hesapet pas vizitës së shefit të CIA-s?
Aktualisht “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit, rezonoi deklarata e fortë e ambasadorit gjerman Jorn Rohde.
Ky konstatim i prerë i Rohdes u tha në fjalë të zhveshura nga zhargoni diplomatik dhe përzbutjet kuptimore të zakonshme të diplomatëve.
Këto oktava dukshëm më të larta në deklarime publike erdhën vetën dy ditë pas zbarkimit në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë të shefit të CIA-s, William Burns.
Duke folur sot për RTK-në, Rohde iu referua “shqetësimeve të sigurisë” që burojnë nga hapja tjesht-ashtu e Urës së Ibrit – e dhënë për “çështje të mbyllur, vendim të marrë” nga qeveria kosovare.
“Për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë”, u shpreh Jorn Rohde, i cili një ditë më parë edhe u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen”.
“Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai.
Rohde e dha hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve si një proces (ri)vlerësimi mes Qeverisë së Kosovës dhe hisedarëve të sigurisë, KFOR-it dhe atyre politik, QUINT-it.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin,
vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, konstatoi Rohde.
Osmani e një mendjeje me QUINT-in
“A është në interes të Kosovës të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan?”.
Këtë pyetje në tone alarmuese e ngriti Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi qe informuar me shkrim për rreziqet që ShBA ka artikuluar se i kanosen ushtarëve të KFOR-t dhe amerikanë në hapjen-thjesht-ashtu të Urës së Ibrit, që, sipas Jeffrey Hovenier, “qeveria në planin e saj nuk e ka marrë parasysh”.
Këto shqetësime, megjithatë, Vjosa Osmani, nuk i ka ngritur në ndonjë konferencë të jashtëzakonshme për media apo pas ndonjë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që do t’i përshtateshin përmbajtjes alarmante të tyre...por gjatë një vizite në Komunën e Vitisë.
“Jemi tetë vite me vonesë në hapjen e Urës së Ibrit”, megjithatë tha Osmani për REL-in duke i qëndruar refrenit qeveritar, por duke u kthyer në atë që hapja e saj “duhet të bëhet në koordinim të plotë me aleatët”.
Për më tepër, tregoi ajo, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ka folur për hapjen e urës “rreth një muaj më parë dhe janë pajtuar” që duhet të ketë një koordinim me praninë e NATO-s në Kosovë, E në veçanti me Shtetetet e Bashkuara të Amerikës, të cilan janë “partneri ynë kryesor i sigurisë”.
Bisedimet do të vazhdojnë, vazhdoi ajo t’i tregojë REL-it, por do të jetë vendimtare që të dyja palët të koordinohen plotësisht me NATO-n.
Ditëve të fundit Osmani, e cila ndryshe nga Kurti mirëmban raporte komunikimi me ShBA-në dhe QUINT-in, sërish i qëndroi çështjes së Urës së Ibrit, hapja e të cilës për automjete duhet të bëhet në sinkron me mbështetjen e aleatëve të sigurisë; për çka Kurti në anën tjetër beson se “kurrë më shumë nuk ka pasur koordinim dhe konsultim”.