Hamza: Sot nuk po emigrojnë vetëm ata që s’kanë punë por edhe ata që kanë punë
Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me menaxhimin e ekonomisë në vend, duke thënë se paga mesatare nga viti 2014 deri në vitin 2022, është rritur vetëm 29%.
Hamza tutje ka shtuar se në Shqipëri paga gjatë këtyre viteve është rritur mbi 100% e në Maqedoni më shumë se 70%.
“Në 2014 paga mesatare ka qenë 403 euro. I kam të dhënat deri më 2022, është 521 euro. Rasti i Kosovës, 29% rritje, Shqipëria në 2014, e ka pas pagën mesatare më të vogël 325 euro, sot e ka 678 euro. Në Kosovë 29% në Shqipëri sot më shumë se 100%. Maqedonia, në vitin 2014, 511 euro paga mesatare, sot 894, rritje për më shumë se 70%.” – ka thënë Hamza në RTV Dukagjini.
Hamza tutje tha se qytetarët e Kosovës po jetojnë më keq tash se para katër vjetëve për shkak të inflacionit.
“Nëse në 2019, 2018 ke ble një shportë me mallra me 100 euro sot nevojiten më shumë se 150 euro. Në kumulativ, norma e inflacionit, viteve të fundit, është diku, vetëm për një vit ka qenë 11.6 për vitin 2022, vetëm për një vit. Nëse e marrim në kumulativ del 23.5%. Nëse e marrim shportën e konsumatorit, të shumicës qytetarëve, sepse në mesatare hyn këto të lluksit, po e marrim vetëm ushqimin del 36.3, nëse i marrim vetëm produktet bazike sigurisht më shumë. Kjo e ka varfëru qytetarin, sot nuk po emigrojnë vetëm ata që s’kanë punë por edhe ata që kanë punë.” – ka shtuar ai.