Hamza pas vërshimeve në Mitrovicë: Ngadalë qytetit po i kthehet normaliteti
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se së bashku me stafin e tij, tash e disa ditë janë duke qëndruar në terren, për shkak të vërshimeve.
Hamza ka thënë se e gjithë kjo situatë fatmirësisht është kaluar pa viktima dhe dëme në njerëz.
“Tash e disa ditë qyteti ynë Mitrovica dhe qytetarët tanë janë përballur me vërshimet të cilat kanë shkaktuar një situatë të rëndë e cila nuk mbahet në mend në Mitrovicë! Bashkë me stafin, jemi në terren gjatë gjithë kohës, jemi pranë qytetarëve me të gjithë akterët e institucioneve komunale. Fatmirësisht, e gjithë kjo situatë ka kaluar pa viktima dhe dëme në njerëz, por duke lënë pas vetes dëme materiale milionëshe, në infrastrukturë, pronë publike, ekonomi familjare dhe biznese.” – ka shkruar ai.
Hamza në Facebook, ka bërë të ditur se pastrimi i qytetit është duke u bërë, dhe sipas tij ngadal qyteti po i kthehet normalitetit.
“Është bërë evakuimi i shumë familjeve, të cilat janë mbështetur me pako ushqimore, veshmbathje dhe strehim dhe tani jemi në fazën e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve. Gjatë këtyre ditëve jam në komunikim të vazhdueshëm me shumë organizata dhe institucione të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të na përkrahin në mënyra të ndryshme. Dua të shpreh konsideratën më të lartë dhe falënderimin për të gjithë institucionet, klubin e zhytësve, qytetarët e vullnetit të mirë, operatorët ekonomik dhe organizatat jo qeveritare të cilat kanë shprehur vullentin dhe gatishmërinë për ndihmë jo vetëm këto ditë por edhe gjatë ditëve në vijim. Kemi shumë punë për të rimëkëmbur qytetin tonë por ngadalë qytetit po i kthehet normaliteti dhe po bëhet pastrimi në secilin cep të qytetit. Bashkë do t’ia dalim!” – ka shkruar ai.
