Halimi e LDK-së: Ministria e Kulturës ka vendosur t’ia japë RTK-së 750 mijë euro, e shndërroi në “agjenci marketingu” - NACIONALE

Halimi e LDK-së: Ministria e Kulturës ka vendosur t’ia japë RTK-së 750 mijë euro, e shndërroi në “agjenci marketingu”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas raportimeve se Ministria e Kulturës ka vendosur që t’ia japë 750 mijë euro televizionit publik për promovimin e aktiviteteve të tyre.

Halimi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ministria i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka shndërruar RTK-në në “agjenci marketingu”.

“Ky absurditet është keqpërdorim brutal i buxhetit të shtetit, sidomos në këtë kohë të zhvillimit teknologjik dhe mundësia e promovimit është shumë më e madhe edhe me më pak buxhet. Paaftësia për të zhvilluar dhe përkrahur kulturën nuk mund të mbulohet me kanale shtesë në televizione. Komuniteti i kulturës ka nevojë për përkrahje dhe investime.” – ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Kapja e RTK-së nëpërmjet emërimit të drejtorit nga partia në pushtet, nuk i mjaftoi dhe tani një dikaster qeveritar ndërhynë në televizionin publik duke e shndërruar në servis të vetin për propagandë!?

Ministria e Kulturës, ka vendosur që 750 mijë euro për tre vjet t`ia japë RTK-së, televizionit publik për promovimin e aktiviteteve të tyre.

Edicionet kulturore kanë qenë mjaftueshëm të prezantuar në media, aq sa ka pasur aktivitete, nënkuptohet. Çdo televizion pothuajse ka emisione të caktuara për kulturë dhe sport. Por, kjo nuk i ka mjaftuar ministrit aktual të kulturës, i cili ka vendosur që RTK-në ta shndërrojë në “agjenci marketingu”.

Ky absurditet është keqpërdorim brutal i buxhetit të shtetit, sidomos në këtë kohë të zhvillimit teknologjik dhe mundësia e promovimit është shumë më e madhe edhe me më pak buxhet. Paaftësia për të zhvilluar dhe përkrahur kulturën nuk mund të mbulohet me kanale shtesë në televizione. Komuniteti i kulturës ka nevojë për përkrahje dhe investime.

Mungesa totale e kreativitetit, e nxitë Ministrin që ta cenojë edhe mediumin publik edhe buxhetin, përnjëherë.

Lajme të ngjashme