Gërvalla 'demanton' edhe Vjosa Osmanin: "Asociacioni ka vdekur, edhe për neve edhe për ndërkombëtarët"
Vetëm një ditë pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që autoritetet e vendit të ulen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të hartojnë një draft për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se “Asociacioni ka vdekur për neve dhe për ndërkombëtarët”. Në një intervistë në Top Channel, Gërvallla tha se pas ngjarjeve të së dielës “çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim”.
“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013 është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe”, ka thënë Gërvalla.
“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund është qorrsokak”, shtoi ajo.
“Për mua është shumë e rëndësishme që mbas asaj që ka ndodhur të dielën ka prioritete krejt të tjera në raportin tonë me ndërkombëtarët, siguria. Nuk ka shkelje më të rëndë sesa agresioni i hapur ndaj atij që pretendon që ke në tavolinë. Pas sulmit qëndron Serbia dhe aty ka pasur armatim për qindra trupa.”- tha Gërvalla.