Guvernatori i BQK-së raportohet se iu ankua presidentes Osmani për presione politike
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i është ankuar presidentes Vjosa Osmani për presion politik.
Përmes një letre që e ka siguruar Demokracia.com, guvernatori ka treguar se BQK-ja që një kohë të gjatë është duke u përballur me një presion të tillë.
Në letrën drejtuar shefes se shtetit, Mehmeti kërkon që politika të qëndrojë sa më larg BQK-së.
“E nderuar znj. Presidente, përtej arritjeve të mëdha, muajve të fundit BQK është duke u ballafaquar me presione politike të cilat kanë synime të interferojnë në punën e pavarur dhe profesionale të BQK-së. Javët e fundit janë shoqëruar me disa ngjarje politike që godasin në thelb pavarësinë dhe profesionalizmin e BQK-së”, është thënë në letër.
Me tej, ai është ankuar edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Se agjenda politike është e drejtuar ndaj institucionit të pavarur të BQK-së, tanimë konfirmohet edhe nga synimi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për të themeluar grup punues lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-2()9 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe për Ligjin nr. 05/L-()45 për Sigurimet (e paraparë për mbledhjen e radhës të komisionit përkatës)”, është thënë në letër, duke shtuar se ky institucion mund të këtë sukses nëse nuk i preket autonomia.
“Bindja jonë është se, po që se BQK e ka lirinë dhe autonominë e veprimit, do të arrijë me sukses të plotë të mbrojë detyrimet e saj ligjore, e po ashtu, të kontribuojë edhe në mbrojtjen e vendit e edhe në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit. Si menaxhment i BQK-së jemi tejet të shqetësuar lidhur me iniciativën e deputetëve për këtë çështje sepse BQK nuk mund të marrë vlerësim nga institucionet që kanë bazë politike. Për këtë, korniza juridike është e plotë në vendin tonë dhe autonomia e BQK-së sigurohet që nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës e edhe ligjet tjera relevante”, është thënë në letër.
Vëllai i presidentes Osmani drejt pozitës së rëndësishme në BQK
Një ditë me parë, gazeta Nacionale ka raportuar se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) duket se do të jetë institucioni më i ri ku do të punojë familjari i një pushtetari. Bëhet fjalë për vëllain e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, Ramadanin.
Përmes burimeve të saj, gazeta ka mësuar se vëllai i shefes së shtetit, Ramadan Osmani, ia ka mësyrë një pozitës së rëndësishme në Bankën Qendrore të Kosovës.
Bëhet fjalë për pozitën Mbikëqyrës i Lartë Bankar.
Një burim i gazetës Nacionale ka thënë se Osmani pritet ta marrë këtë postë pasi që tashmë i ka kryer të gjitha procedurat.
Nga konkursi që e ka parë gazeta Nacionale, kjo pozitë ka gradën 5.
Gazeta i është drejtuar BQK-së për këtë çështje, por ky institucion nuk e ka parë të arsyeshme t`i përgjigjet interesimit të gazetës.
Në anën tjetër, Nacionale ka provuar ta kontaktojë të vëllain e presidentes përmes emailit por qasja ka qenë e pamundur. Ramadan Osmani mësohet se punon në një bankë komerciale të quajtur Banka për Biznes (BPB).
Kjo pozitë është mjaft e rëndësishme pasi do të ketë për detyrë të kryejë ekzaminimet në vend dhe të shqyrtojë raportet e bankave.
