Gruda: Osmani veproi drejt, u tentua që rendi kushtetues të vendoset në funksion të një partie - NACIONALE

Gruda: Osmani veproi drejt, u tentua që rendi kushtetues të vendoset në funksion të një partie

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se presidentja Vjosa Osmani veproi në përputhje me Kushtetutën me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se nëse nuk do të shpërndahej Kuvendi, do të shkelej Kushtetuta.

“Kuvendi i Kosovës ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me mosveprim, duke mos zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues dhe për pasojë është shkelur Kushtetuta nga Kuvendi. Pasoja e kësaj është shpërndarja e tij dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Presidentja ka vepruar në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe besoj shpejt për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo normë nuk mund të interpretohet që Kuvendi të shmangë shpërndarjen e tij duke mos filluar procedurën ose duke mos e konsumuar atë. Një interpretim i tillë do ta bënte normën kushtetuese të pavlefshme dhe do të krijonte mundësi për bllokada të përhershme institucionale”, ka thënë ai.

“Neni 86, paragrafi 2, përcakton se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kjo normë ekziston në shumë kushtetuta evropiane dhe ka një qëllim thelbësor: të garantojë kontinuitetin e institucionit të kreut të shtetit, i cili në të gjitha kushtetutat konsiderohet si institucion kyç për stabilitetin e institucioneve. Ndërsa neni 82, paragrafi 1, përcakton se Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës nuk zgjidhet presidenti i Kosovës. Pra afati 60-ditor në këtë nen tregon sa mund të zgjasë procedura e zgjedhjes së presidentit, por ky afat në asnjë rast nuk anulon dhe nuk e konsumon afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86. Dhe kjo është kështu për tri arsye themelore. Në çdo tekst të Kushtetutës ku ekzistojnë dy afate, ato janë vendosur me një qëllim të ndryshëm juridik. Në këtë rast, afati 60-ditor përcakton sa mund të zgjasë procedura e zgjedhjes së presidentit pasi ajo të ketë filluar. Për shembull, procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të fillojë një vit para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, sepse atëherë shkelet logjika e afatit 60-ditor që kufizon kohëzgjatjen e procedurës. Së dyti, afati 60-ditor shërben kryesisht për situata kur presidenca apo posti i presidentit mbetet vakant, në situata kur ai jep dorëheqje, shkarkohet ose vdes. Në këto raste nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86, sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual. Kur posti është vakant, ky afat bëhet i pazbatueshëm dhe për këtë arsye Kushtetuta e ka parashikuar një afat tjetër që është 60 ditë. Së treti, një afat kushtetues nuk mund ta bëjë të pavlefshëm një afat tjetër kushtetues. Në këtë rast, afati 60-ditor nuk mund ta neutralizojë apo ta anulojë afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86”, ka shtuar tutje Gruda.

Sipas tij, me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje është tentuar të rendi kushtetues të vendoset në funksion të një partie.

“Është standard i njohur evropian kushtetues, i thënë disa herë në opinionet e Komisionit të Venecias, se shkeljet kushtetuese mund të ndodhin përmes akteve dhe veprimeve të institucioneve, por edhe përmes mosveprimeve. Mosveprimet kushtetuese janë një formë e shkeljes kushtetuese që janë konstatuar disa herë në opinionet dhe studimet e Komisionit të Venecias, dhe ky është rasti kur Kuvendi i Kosovës ka vepruar duke mos e zgjedhur presidentin. Presidentja e Kosovës ka bërë veprimin e duhur në mbrojtje të Kushtetutës. Nëse nuk do ta shpërndante Kuvendin, do të bënte shkelje të Kushtetutës përmes mosveprimit. Prandaj, mendojmë që tendenca është e qartë që të përdoren normat kushtetuese që janë përdorur gjatë vitit të kaluar dhe mandatit katërvjeçar me një interpretim që është obstruktiv, me qëllim që ta bëjë normën të pazbatueshme dhe ta vërë krejt rendin kushtetues në funksion të një partie politike”, tha Gruda.

Lajme të ngjashme