Gruda: Kurti po bën lojëra fjalësh, nuk e ka seriozisht kur flet për zgjedhje të reja
Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti nuk e ka seriozisht kur flet për zgjedhje të reja parlamentare.
Ai ka bërë me dije se shefi i ekzekutivit këto deklarata i bën për të fshehur mungesën e rezultateve në qeverisje për tri vite.
Sipas tij, Kurti po bën vetëm lojëra fjalësh.
“Kjo qeveri ka rënë, një kryeministër që bën lojë fjalësh edhe dorëzohet dhe thotë do të shkojmë në zgjedhje, do të jap vota ose nuk do të jap vota, unë mendoj se kjo tregon më së miri se kjo nuk ka rezultat. Asnjë kryeministër kur e ka mandatin nuk kërkon me iu ndërpre mandati, kërkohet të ndërpritet mandati kur një kryeministër nuk ka sukses”, ka deklaruar Gruda për “Edicionin Special” të Klan Kosovës.
Ai ka treguar qëndrimin e PDK-së për këtë çështje.
“Ne po kërkojmë një shpërndarje të Kuvendit dhe ne të shkojmë në zgjedhje, por nuk besoj që kryeministri është serioz në këtë çështje, dhe nuk mundesh të luash kaq shumë me fjalë”, është shprehur zyrtari i PDK-së.