Greva u thye: Elvis Hoxha mposhti Jasharajn, Dimal Basha arsimtarin e Biologjisë, populizmi popullin
SBAShK-u ka kërkuar nga anëtarësia e saj që mësimi të fillojë më 3 tetor, duke i dhënë efektivisht fund grevës që u shpall më 25 gusht. Kush janë humbësit dhe kush fituesit e kësaj ndodhie?
Kryetari i Këshillit Grevist Reshit Kusha u shpreh se një ndër arsyet pse greva po ndërpritej ishte edhe për shkak të ofendimeve të shumta që kishin marrë përgjatë ditëve dhe javëve të kaluara.
“Duke e parë që po marrim ofendime nga më të ndryshmet dhe se qeveria nuk po lëvizë, e padyshim që edhe kanë filluar të na përçajnë brendapërbrenda, kemi vendosur që t’i mbledhim idetë nga anëtarësia për një pezullim të përkohshëm nese ata vendosin,” - ka thënë z. Kusha.
Fushatat e linçimit kanë qenë alarmuese në rrjetet sociale të Internetit, por edhe në mjete tjera të informimit. Pa ofruar prova e argumente, ato ishin nisur madje edhe nga vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Por, të nisim numërimin e fituesve dhe humbësve, fillimisht:
1. Albin Kurti e Elvis Hoxha fitues, Rrahman Jasharaj humbës
Shënjestra kryesore e fushatave të linçimit ishte pikërisht Rrahman Jasharaj. Sindikalisti nga Istogu u lidh me Serbinë, PAN-in, ShIK-un, opozitën në përgjithësi etj.
Kjo i kishte shkaktuar atij edhe shumë telashe shëndetësore përgjatë kësaj kohe.
Kryeministri i Kosovës e kishte ‘shtrembëruar’ mënyrën e tij të të folurit në një seancë të Kuvendit të Kosovës në një akt të paprecedentë bullizmi. Po ashtu, ai e kishte përdorur për qëllime bullizmi edhe kërkesën e Jasharajt që t’i ndihmonte “ndihmona si vëlla, si mik, si kryeministër”.
Në anën tjetër, Elvis Hoxha e kishte lidhur Jasharajn me “një parti serbe” në një informacion që e kishte pranuar më vonë se ishte “lajm i rremë”.
2. Dimal Basha fitues, mësuesi i tij i Biologjisë humbës
Për shkak të gjuhës tmerrësisht fyese që përdorte ndaj mësimdhënësve duke i quajtur analfabetë, Nacionale kishte vendosur që deputetit të VV-së Dimal Bashës t’ia publikonte dëftesën e notave.

Atij i doli “1-shi” në lëndën e Biologjisë, e të cilën e kishte bërë 2-sh vetëm pas riprovimit. Por, ai kishte pasur edhe shumë nota tjera të dobëta.
Pikërisht arsimtarët që i kanë lënë notat në fjalë, e që janë ende duke punuar si mësimdhënës, nuk do t’i kenë kërkesat e përmbushura përkundër varfërimit të përditshëm prej inflacionit.
3. Arbërie Nagavci fituese, studentët e mirë humbës
Edhe ministres Arbërie Nagavci i doli diploma e saj e magjistraturës dhe e cila ishte mjaft e turpshme. Nota e saj mesatare ishte vetëm 6,4 ndërsa edhe koha e diplomimit ishte tmerruese (gati 10 vjet).

Kjo mund të jetë jashtëzakonisht dekurajuese për studentët cilësorë në universitetet publike për t’u avancuar në karrierën e tyre.
Nagavci ka përdorur po ashtu gjuhë linçuese e urrejtëse ndaj sindikalistëve të punëtorëve të arsimit.
4. Sadri Ramabaja fitues, ‘shtypi gjerman’ humbës
Sadri Ramabaja i ka quajtur sindikalistët e arsimit “njerëz pa atdhe” për shkak se greva u paralajmërua më 18 gusht, ose pikërisht në ditën kur Kurti po dialogonte në Bruksel me Vuçiqin.
Një gjë të tillë e kishte përmendur edhe vetë Kurti në përpjekjen e tij për t’u viktimizuar. Në fakt, 18 gushti ishte vetëm dita e paralajmërimit dhe ajo kishte ardhur pas lutjeve të ministrit Murati pas takimit me kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykollin.
Sadri Ramabaja ka qenë ndër njerëzit më të zëshëm duke e lidhur pa asnjë provë sindikatën me PDK-në dhe me opozitën. Si një ‘lexues i shtypit gjerman’ siç pretendon të jetë, kjo është një edukatë shumë e keqe dhe që e bën të duket keq, shumë keq, vetë këtë shtyp.
5. Politikanët fitues, mësuesit humbës
Sot u bë e ditur që Kuvendi i Kosovës i kishte shpenzuar 3.4 milionë euro vetëm në paga dhe mëditje për gjashtë muaj.
Kërkesa e vetme e mësimdhënësve kishte qenë që të merrnin nga njëqind euro shtesë për të përballuar inflacionin deri në kohën kur do të merrnin edhe më shumë përmes Ligjit të Pagave.
Pagat e politikanëve tanë janë jashtëzakonisht të larta, dhe asgjë s’do të ndryshojë as me Projekt-Ligjin e Pagave të përgatitur nga Qeveria Kurti II.
6. Profesorët universitarë fitues, mësuesit parauniversitarë humbës
Jo të gjithë kanë qenë të interesuar për një problem shqetësues në lidhje me pagat në sektorin e arsimit: profesorët universitarë paguheshin ndjeshëm më shumë se mësimdhënësit parauniversitarë.
Ky hendek i madh nuk do të adresohet as nga Projekt-Ligji i ri i Pagave i përgatitur nga Qeveria Kurti II.
Përgjatë kësaj kohe, profesorët universitarë kishin qenë më shumë në krah të Qeverisë se sa në anën e kolegëve të tyre mësimdhënës.




