Greva i paralizon aeroportet në Gjermani, pritet të preken gati 300 mijë pasagjerë
Një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte të Gjermanisë të premten pritet të prekë gati 300 mijë pasagjerë. Punëtorët po kërkojnë rritje të pagave.
“Terminalet janë boshe këtë mëngjes”- tha një zëdhënës i aeroportit në Hamburg, duke shtuar se shumë pak udhëtarë nga 32 mijë të prekurit janë paraqitur në aeroport, raporton agjencia “Reuters”.
Rreth 295 mijë pasagjerë preken nga anulimi i afro 2.300 fluturimeve në aeroportet në Bremen, Dortmund, Frankfurt, Hamburg, Hanover, Mynih dhe Shtutgart, sipas shoqatës së aeroporteve, ADV.
“Kur i shikojmë terminalet e aeroporteve këtë mëngjes, na vijnë në mendje ditët më të këqija të koronavirusit e më pak një grevë paralajmëruese”- tha Ralph Beisel nga kjo shoqatë.
Sindikata gjermane, “Verdi”, e njoftoi grevën të mërkurën, pasi tha se përpjekjet kolektive të bisedimeve për stafin e shërbimeve tokësore, zyrtarët e sektorit publik dhe punëtorët e sigurisë së aviacionit kanë shënuar pak përparim.
“Nëse nuk bëhet asgjë për paga tani, të gjithë do të jemi në një verë tjetër kaotike. Ka të bëjë me dërgimin e një sinjali vërtet të fuqishëm”- tha nënkryetarja e sindikatës “Verdi”, Christine Behle.
Kjo grevë po mbahet në ditën kur në Gjermani fillon Konferenca e Mynihut për Siguri. Ministri i Jashtëm i Rumanisë, i cili kishte planifikuar që të arrinte përmes njërit prej fluturimeve të anuluara, do të shkojë fillimisht në Austri e pastaj do të udhëtojë me veturë deri në Mynih, tha një zyrtar i ambasadës rumune.