“Goditje direkte ndaj NATO-s, KFOR-it dhe EULEX-it”: Janjiq analizon vendimin për shpalljen e dy organizatave në veri si terroriste
Shpalljen “organizata terroriste” të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës Veriu” nga Qeveria e Kosovës, e ka quajtur “përgjigje më të keqe të mundshme”, analisti serb Dushan Janjiq, për çka u shpreh se pret “reagim të ashpër” nga Perëndimi. Kështu e citoi së paku të ketë thënë media serbe “KoSSeV”, ku Janjiq thotë edhe se një vendim i tillë “është politik” dhe se mund të acarojë edhe më tej situata duke çuar në protesta dhe demonstrata në mesin e popullatës lokale në pjesën veriore të Kosovës.
Veprimet e kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit, Janjiq thotë se “vështirë se mund të vendosen nën akt terrorizmi” teksa vlerëson se as EULEX dhe as KFOR-i “nuk e kanë mbështetur” një vendim të tillë. Ai kritikon qeverinë kosovare për vendim politik ndërsa beson se është dashur ta kualifikojë veprimtarin e tyre ndryshe.
“Do ta kuptoja...sikur të thoni se këta dy grupe kanë qenë aktive për një kohë dhe kanë bërë punë para-policore...kjo do të ishte kualifikim i përnjëmendtë. Por, problemi është se nuk është i definuar nga ligjert e Kosovës – ekzistenca e para-policore, dhe së dyti – që qeveria kosvoare e toleroi atë, nëse po operonin, dhe ne e dimë që ekzistuan më herët. Dhe atë më së shumti ishin publikë që nga 2022, pikërisht në momentin kur kjo qeveria e nis politikën e famshme të reciprocitetit”, ka thënë ai.
Janjiq beson se një vendim i tillë godet komunitetin serb, ngase siç beson ai, “këta njerëz janë të lidhur me komunitetin serb dhe Serbinë” teksa shton se qeveria kosovare nuk do të ketë mbështetje ndërkombëtare për këtë.
“Le të presim, jam i bindur se do të ketë reagim ashpër. Sa për kredibilitetin e NATO-s, KFOR-it dhe EULEX-it, kjo është një goditje direkt ndaj tyre. Sepse mesazhi këtu është që ata e kanë lejuar ekzistencën e organizatave terroriste që nga 2017”, ka thënë Janjiq.
“Vështirë se mund të përcaktohet si akt terrorizmi edhe nëse e legalizojnë, sepse kjo më së shumti mund të cilësohet si parapolici”, beson Dushan Janjiq.