Goditja skandaloze e pushtetit për disiplinimin e mediave, KPM-ja e kapur prej VV-së dënon me mijëra euro T7 dhe Klan Kosovën
Komisionit të Pavarur për Media sot ka shprehur tendencën e tij të hapur për t`i disiplinuar mediat. Institucioni që është kritikuar ashpër për kapje nga VV-ja sot ka marrë vendimet e parë t`i goditur televizionet kryesore në vend.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, i cili e ka monitoruar mbledhjen e sotme, ka treguar për dënimet e mëdha që janë shqiptuar ndaj televizioneve.
Sipas tij, ky institucion sot e ka dënuar Klan Kosovën me 3 mijë euro dhe televizionin T7 me 4 mijë euro.
“KPM-ja ka dënuar me gjoba edhe Teve1, RTV Dukagjini e T7. Për të tria, shkeljet e prentenduara lidhen kryesisht me zgjedhjet e shkurtit 2025, reklamimin politik dhe të ngjashme. Në rastin e T7, ka pasur një dënim të përgjithshëm prej 4 mijë eurosh, për një sërë shkeljesh të pretenduara, por arsyetimi i kryetarit Berisha është po aq skandaloz sa ai për Klan Kosovën. Mes tjerash ai tha (parafrazim) se ‘në emisione është folur me konotacion negativ, duke mos u bërë dallimi mes opinionit dhe faktit. Dhe, kjo është mënyra më e mirë e manipulimit të fakteve, duke bërë propagandë’”, ka shkruar Rexha.
Sipas tij, këto dënime janë skandaloze.
“Sikurse në rastin paradite, KPM-ja synon këtu të disiplinojë mediat dhe të dirigjojë politikat redaktoriale të tyre, e që është goditje e papranueshme për lirinë e medias dhe të shprehjes në Kosovë. Dhe natyrisht, zbatim i politikave të Qeverisë dhe Vetëvendosjes për shtypjen e mediave”, ka shkruar ai.
Paraprakisht, Kryetari i AGK-së ka njoftuar se KPM-ja e ka dënuar televizionin Klan Kosova me 3 mijë euro.
Ai ka treguar se vendimi për këtë dënim është marrë mbi një pretendim skandaloz të kryetarit të KPM-së, Besnik Berisha.
Ai ka paralajmëruar se në mbledhjen që po vazhdon pritet të merren vendime edhe për media tjera.
“KPM-ja është mbledhur sot për të marrë vendime për 26 raste që lidhen kryesisht me zgjedhjet e shkurtit 2025. Në një rast, Klan Kosova është dënuar me 3000 Euro gjobë për, siç ka thënë kryetari Besnik Berisha, “kronikat kryesisht kanë pasur qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara në vetëm një burim informacioni e që lidhen me pushtetin aktual”. Ky arsyetim, qëndrim i kryetarit Berisha dhe KPM-së është absolutisht skandaloz dhe vërtetim i kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje. Janë dënuar me gjoba edhe RTK1 dhe Kanal10 për shkelje të pretenduara që lidhen me zgjedhjet. Pas pak, vendime të rëndësishme edhe për T7 dhe TV Dukagjini. AGK-ja dhe organizatat e shoqërisë civile që po e monitorojnë mbledhjen, do të dalin me qëndrim në fund të saj”, ka shkruar ai.