Gjykata evropiane: Anulohet vendimi i KE-së që e bëri Kosovën pjesë të BEREC-ut
Gjykata e Bashkimit Evropian ka anuluar vendimin e Komisionit Evropian që lejonte Kosovën që të marrë pjesë në Trupin e Regullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike. Kjo sidoqoftë, thuhet se nuk ka të bëjë me faktin që Kosova nuk njihet si shtet i pavarur nga BE-ja.
Gjykata evropian përmes një njoftimi, ka konfirmuar të mërkurën se Spanja kishte kërkuar në vitin 2019 që të anulohet një vendim i tillë.
“Ndërmjet viteve 2001 dhe 2015, Bashkimi Evropian nënshkroi marrëveshje stabilizimi dhe asocimi me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, një kandidate potenciale për anëtarësim në BE. Gjatë dhe pas vitit 2018, Komisioni ndërmori veprime për zhvillimin e shoqërisë dixhitale dhe përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me legjislacionin e BE-së. Një veprim i tillë ishte inkorporimi i Ballkanit Perëndimor në organet rregullatore ekzistuese ose grupet e ekspertëve, si BEREC.” – thuhet në vendim.

Tutje, përmendet edhe ankesa e Spanjës, e cila nuk pajtohej me një vendim të tillë duke konsideruar se Kosova nuk është “shtet i tretë”.
“Spanja parashtroi një ankesë kundër atij aktgjykimi në nëntor 2020. Spanja kishte pretenduar para Gjykatës së Përgjithshme se vendimi i Komisionit shkel dispozitën e Rregullores aktuale të BEREC 3 që ka të bëjë me bashkëpunimin e BEREC me organet e BE-së, vendet e treta dhe organizatat ndërkombëtare, sepse Kosova nuk është një "vend i tretë" sipas kuptimit të kësaj dispozite.” – thuhet në vendim.
Krejt në fund, theksohet qartë se vendimi i Komisionit të mbetet në fuqi deri në arritjen e “ndonjë marrëveshje të re mes BEREC-it dhe Kosovës”.
“Megjithatë, për të mos rrezikuar pjesëmarrjen e AKR-së së Kosovës në BEREC, Gjykata e Drejtësisë vendos që efektet e vendimit të Komisionit të mbahen deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re pune të lidhur ndërmjet BEREC-it, Zyrës së BEREC-it. dhe NRA e Kosovës. Megjithatë, efektet e këtij vendimi nuk mund të mbahen përtej një periudhe të arsyeshme prej gjashtë muajsh nga data e sotme.” – shkruan në fund të vendimit.

Reagon ARKEP
Kosova në BEREC merrte pjesë përmes Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Ky institucion, përmes një komunikate ka thënë se në lidhje me anulimin e vendimit të KE-së, është njoftuar vetëm përmes informimit publik.
Madje, të njëjtit kanë pretenduar se nuk kanë marrë ndonjë shkresë apo vendim lidhur me këtë çështje.
“Përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin se, në procesin gjyqësor të inicuar nga Spanja ndaj Komisionit Euriopian, lidhur me pjesmarrjen e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në takimet e Entit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC), Republika e Kosovës nuk është palë në këtë rast. Rrjedhimisht, ARKEP si pjesmarrës me të drejta të barabarta në BEREC, deri më tani nuk ka pranuar asnjë shkresë ose vendim nga ndonjë Institucion i Bashkimit Eruropian (BE) lidhur me këtë çështje.” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, përmendet se kjo nuk nënkupton që Kosova është përjashtuar nga BEREC-u, por siç ka raportuar Nacionale edhe më lartë, pritet të arrihet një marrëveshje e re.
“Megjithatë, me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, kjo nuk nënkupton përjashtimin e ARKEP nga BEREC-u. Përkundrazi, për të mos penguar pjesëmarrjen e ARKEP në punën e BEREC-ut, Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që efektet e vendimit të Komisionit Europian të zbatohen deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re pune të lidhur ndërmjet BEREC-ut, Zyrës së BEREC-ut dhe ARKEP.” – shkruan në vendim,
Në fund thuhet se: “ARKEP që nga viti 2019 merr pjesë aktive në takimet e BEREC, si në nivelin teknik (10 grupe punuese të ekspertëve) ashtu edhe në atë të Bordit të Rregullatorëve. Për informimin e juaj, komunikimi dhe bashkëpunimi me BEREC ka vazhduar edhe vazhdon ende në kuadër të përmbushjes së objaktivave të përbashkëta.”
