Apeli e refuzon kërkesën e mbrojtjes, Nagipi i KEK-ut mbetet në paraburgim
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e palës mbrojtës të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për lirimin e tij nga paraburgimi në një zhvillim tjetër të rëndësishëm në procesin e tij gjyqësor.
Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e palës mbrojtëse të Krasniqit, vendim ky që efektivisht e lë në paraburgim, kryeshefin e pezulluar të KEK-ut, raporton Insajderi.
Pala mbrojtës e Krasniqit ishte ankuar në Apel për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë.
Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Krasniqit, më 20 prill. Që nga ajo ditë, ai po qëndron në paraburgim dhe tashmë kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë deri në skadim të kësaj mase.
Ai dyshohet për veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhej në njoftimin e Gjykatës.
Në anën tjetër, pushteti duke filluar nga kryeministri Albin Kurti i kishin dalë në mbrojtje të arrestuarit Nagip Krasniqi.
Kurti kishte hedhur akuza të rënda ndaj sistemi të drejtësisë dhe kryeprokurorit, Blerim Isufaj duke folur për arrestimin e Krasniqit.
“Është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e Nagip Krasniqit. Por, ky është fakt i opozitës nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, që ka pasur keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria.” – kishte deklaruar ndër të tjera Kurti për arrestimin e Krasniqit.
Kujtojmë se Krasniqi ishte edhe aktivist i Vetëvendosjes, dhe drejtues i Komitetit të saj për fushën e energjisë.
