Gjuhë rrugaçi nga Krasniqi i VV-së: Shpërthen në vulgaritet e akuza të pabaza ndaj ambasadorëve dhe gjyqtarëve
Mbledhja e fundit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shndërrua në një skenë të paprecedentë skandali, ku i zakonshmi Alban Krasniqi – bashkëshorti i nënrkyetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe njëherësh anëtar i Vetëvendosjes në këtë institucion – përdori një fjalor të rrugës, të papranueshëm dhe brutal ndaj ambasadorëve në Kosovë, si dhe ofendime denigruese ndaj gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Zenel Leku.
Në kuadër të mbledhjes për zbatimin e vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku KQZ anuloi vendimin e datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, Krasniqi eskaloi në një gjuhë të rrugës, duke akuzuar ambasadorët dhe diplomatët se po ushtrojnë presion “për hesape të tyre politike të ngushta”.
“Është ironike që këto institucione të bien në kundërshtim dhe lajthitje, por nuk mendoj që është lajthitje – është një vendimmarrje e qëllimshme si rezultat i presioneve, as të ambasadorëve nashta jo, të do diplomatëve që vijnë dhe sillen këndej e do shërbëtorëve të tyre që sillen poshtë e lartë dhe bëjnë presion. Nuk mendoj që shteti duhet me ra në nivelin e këtyreve presioneve, të marrin vendime të tilla sikur këto vendime që kanë të bëjnë me legalizimin e dy organizatave së paku, të cilat janë në shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore.
Aty ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci, e dinë prej ambasadorit, përfaqësuesve të BE-së dhe të gjithë të tjerët të Qunit-it. Edhe ata janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale për hespet e tyre politike të ngushta apo të karrierës diplomatike. Por edhe institucionet tona dhe spektri politik është duke dështuar në këtë drejtim.” – u shpreh Krasniqi.
Krasniqi u lëshua gjuhë vulgare e denigruese specifikisht ndaj gjyqtarit të Gjykatë Supreme, Zenel Leku, duke i përqeshur deri edhe mbiemrin, përtej çdo etike institucionale.
“Po e bëj publikisht të ditur faktin që unë kam dërguar email zyrtar të ai personi që e ka emrin gati si Zllatan Eleku qashtu po qashtu dulë edhe me mënyrën si e ka drejtu këtë proces – Zenel Leku a kush është ky kryesuesi.” – tha ai.
PZAP kishte vlerësuar se KQZ nuk ka ofruar bazë të mjaftueshme ligjore për të vërtetuar se kandidatët e kontestuar bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.
Madje Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.
“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – u tha ndër të tjera në reagimin e BE-së.