Gjuha kërcënuese ndaj mediave: Presidenca ka sqaruar si bëhet shkarkimi i Kurteshit, a do të veprojë sot KQZ-ja?
Anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurti, javën e kaluar ka tronditur opinionin publik me gjuhë kërcënuese dhe fyese ndaj mediave e gazetarëve.
Qëndrimet e tij kanë nxitur reagime të ashpra në vend, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani shkarkimin e tij. Pas presionit të mediave, Presidenca është deklaruar rreth kësaj çështje.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka vlerësuar se me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme shefja e shtetit nuk mund të shkarkoi një anëtar të KQZ-së.
Sipas tij, ky proces duhet të iniciohet nga KQZ-ja.
“Ky ligj ka kufizuar kompetencat e Presidentes sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve të KQZ-së, në situata kur argumentohet se është dëmtuar statusi dhe integriteti i KQZ-së, meqë për dallim nga ligji i kaluar, ligji aktual parasheh se Presidentja mund ta shkarkoj një anëtar të KQZ-së, për veprimet që ndërlidhen me statusin dhe integritetin e KQZ-së vetëm pasi të pranohet propozimi me shkrim nga KQZ-ja, propozim ky i cili duhet miratuar paraprakisht në KQZ, me shumicë prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve. Deri më tani, një propozim i tillë nuk është adresuar nga ana e KQZ-së në Presidencë”, ka thënë Kupina.
Ai ka vlerësuar se anëtaret e KQZ-së për gjatë gjithë mandatit duhet të respektojnë betimin e dhënë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës. Nuk dihet nëse në mbledhjen, e cila do të filloj nga ora 13:30, do të iniciohet shkarkimi i anëtarit të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
Deri me tani asnjë anëtar i KQZ-së nuk është distancuar nga gjuha kërcënuese ndaj mediave e anëtarit të LVV-së në KQZ, i cili më herët ka qenë edhe Avokat i Popullit.
Prokuroria autorizon policinë ta intervistojë Sami Kurteshin
Gjuha e Sami Kurteshit ndaj mediave është bërë sebep që Policia e Kosovës t`i nis një hetim ndaj tij.
“Është lëshuar autorizimi në Polici, pas deklaratave për vrasës me pagesë. Policia do ta intervistojë”, kishte thënë një burim Nacionales.
Gjatë javës së kaluara, derisa qëndronte në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, Kurteshi ka bërë deklarata skandaloze për gazetën Nacionale dhe media të tjera.
“Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”, kështu i ishte drejtuar Sami Kurteshi gazetares së Nacionales, Besarta Hoti, e cika kishte shkuar në QNR për të përcjell procesin e numërimit të votave.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar ashpër, duke e dënuar gjuhen e Kurteshit. Kjo kishte bërë që anëtari i VV-së në KQZ me të njëjtën gjuhë t`i kthehet edhe AGK-së.
Ai kishte thënë se AGK-ja është “Aleancë e Grupeve Kriminale”.
Ndaj Kurteshit kishte reaguar edhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit.
Në reagimin e tij, ky institut kishte kërkuar nga partia në pushtet që të distancohet nga gjuha e Kurteshit.
"Ne e mirëpresim hapjen e një hetimi policor dhe i bëjmë thirrje Kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij në pushtet që ta dënojnë publikisht dhe të distancohen nga kjo retorikë e rrezikshme e Kurteshit. Partia e tij duhet t'i kërkojë Kurteshit që të kërkojë falje publike për komentet dhe të përmbahet nga bërja e komenteve të ngjashme dhe të rrezikshme në të ardhmen", është thënë në reagimin e tij.
Deri me tani askush nga partia në pushtet nuk është distancuar nga gjuha kërcënuese dhe fyese e Sami Kurteshit.