"Isë, argat i Serbisë": Gjuha e urrejtjes që s’e dënoi Kurti në shqip dhe para ndjekësve të tij - NACIONALE

"Isë, argat i Serbisë": Gjuha e urrejtjes që s’e dënoi Kurti në shqip dhe para ndjekësve të tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zgjodhi platformën e tij në Twitter ku ka më pak ndjekës dhe shkroi në gjuhën angleze për të dënuar gjuhën e urrejtjes; dhe atë në Ditën Botërore të Kundërvënies ndaj Gjuhës së Urrejtjes. Por, për cilën audiencë? Për kë? Është Kryeministër i Kosovës, që s’i drejtohet kosovarëve në gjuhën shqipe për çështje të një rëndësie të madhe, siç është dënimi i gjuhës së urrejtjes. Këtë ai e ka shndërruar në zakon, të shkruarit në Twitter dhe në gjuhën angleze, dhe jo në Facebook e në shqip, ku e ka numrin më të madh të ndjekësve. Pse është e rëndësishme kjo dhe për çka është fjala?

“Gjuhës së urrejtjes shpesh si kushtohet vëmendje si papasoja kur në fakt fjalët lëndojnë dhe fjalët urrejtëse mund të sjellin dhunë të pështirë. Historia e vendit tonë mund të tregojë se çfarë dhune mund të rezultojë nga gjuha e urrejtjes. Në ditën ndërkombëtare të gjuhës së urrejtjes ne afirmojnë të drejtën për të jetuar pa qenë të shënjestruar”, shkroi Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo të cilën e kryeson Kurti, njihet dhe është ushqyer saktësisht në gjuhën brutale, polarizuese, linçuese, demonizuese deri në ekstremitetit ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj kritikëve, por edhe ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe nga ta. Toleranca politike është një virtyt që në masë të madhe nuk ka qenë asnjëherë atribut i kësaj lëvizjeje të kthyer në parti. Madje, kryetari Kurti shpesh ka qenë lokomotiva e kësaj gjuhe që është ndjekur nga vagonë amplifikues të ndjekësve të tij.

Kurti, nuk është kurrëfarë fshehtësie, ka qenë hartuesi dhe zmadhuesi i parullave të nxitjes së urrejtjes popullore me fraza si “Isë, Isë – Argat i Serbisë” e “Isa, Hasha – Esat Pasha”. Këto dy frazëza jehojnë ende të spërkatura me ngjyrë nëpër qytete të Kosovës por edhe përdoren gjerësisht nga potbotë fejsbuku të maçinerisë “së sobës” online të Vetëvendosjes. Për çka? Për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, ku “Isë, Isë – Argati i Serbisë”, sipas tyre, kishe ndarë Kosovën. Sot, megjithatë, garancat e marra nga Isa Mustafa (profa i nderuar) citohen gjerësisht nga Kurti, Bislimi, e Konjufca – ky i fundit i dha “dorën, bravo” për garancat e nxjerra në Bruksel se Asociaiconi s’do të ketë kompetenca ekzekutive dhe s’do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit.

Megjithatë, Kurti asnjëherë nuk është distancuar, së paku publikisht, nga një etiketim si “argat i Serbisë”; fjalë kjo që ende jehon dhe prodhon urrejte te ndjekësit e tij ndaj ish-Kryeministrit Isa Mustafa; ku madje asistenti i Kurtit pozon në Twitter me shkop duke impersonuar në mënyrë përqeshëse atë; dhe atë me gjendjen e tij prej të moshuari. Nuk është urrejtje? Çka mund të jetë tjetër?

Gjuha përçmuese ndaj Thaçit

Në një intervistë në Pressing të T7 më 2019 po tregonte se kur kishte dëgjuar për herë të parë për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin – në vjeshtën e vitit 1998. Aty e kishte shqetësuar shumë se pse Thaçi (i cili ishte i dikur i cekët) kishte përmendur Rock&Roll’in e Prishtinës, teksa gazetarëve Berat Buzhalla dhe Leonard Kërqukit u thoshte se “më mirë le të flet se si i adhuron Bijtë e Sefes...e Riza Bllacën”; “po leje Rock&Roll’in e Prishtinës”.

Këtu ai përçonte edhe me gjuhë trupore se si Thaçi po tregohej si dikush që s’ishte në të vërtetë dhe gjestikulacionet i shpërfaqte sikur të dëgjuarit e Rock&Roll’it ishte diçka përtej dikujt si Thaçi e që s’ishte i Prishtinës.

“Nuk më është dukur përfaqësues i denjë në atë kohë si drejtor i drejtorisë politike duke pasur parasysh intervistat që jepte dhe qëndrimet që mbante... ka qenë i cekët...” Aty tregonte se në zyrën e UÇK-së në Prishtinë, tregonte se kishin bërë “humor” por edhe “kishim qenë ca të brengosur” me një intervistë të Thaçit.

“Tregonte aty në intervistë se si e ka marrë malli për Rock&Roll’in e Prishtinës, a diçka kështu... shiko (nis e tund kokën duke pasqyruar se i vinte turp) këta njerëz me komplekse janë shumë problem. Sepse pastaj ju duhet pushteti për të shëruar komplekset personale”.

“Tash leje Rock&Roll’in, më mirë trego qysh i adhuron Bijtë e Sefës, më shumë të duam ashtu, më mirë fol për Riza Bllacën e Bajrush Dollin më mirë, se sa të flasësh për Rock&Roll’in në Prishtinë. Kjo ideja që të bëhesh dikush që s’je. Pra, ushtari i UÇK-së në mungesën absolute të autenticitetit. Kjo është shenjë shumë e keqe”, tregonte ai.

Por, këtë gjë, me sa duket s’do t’ia harronte Hashim Thaçi, kur në një intervistë të para-akuzimit të tij nga Dhomat e Specializuara, kishte treguar se në kohën sa UÇK po bënte luftën Albin Kurti “ishte në Beograd, duke dëgjuar Bijello Dugmen”.

Tjetra. Ishte koha kur denonconte ashpër dhe me gjuhë të lënë në autopilot të targetimit si tradhtarë të kombit e serbofil gjithkënd që dialogonte me Serbinë (gjë që sot ai e bën më së shumti). Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës u thoshte “serbofilë, mazohistë dhe të shantazhuar/korruptuar”. Kjo ishte triada, sipas tij, që të kualfikon për të qenë “pro-Zajednicës”.

Ose serbofil, pra të duash gjithsesi gjithçka serbe (premisa e parë), ose të jesh mazohist, pra të duash t’i shkaktosh vuajtje vetes dhe ta shijoj atë vetëvuajtje të vetëshkaktuar (premisa e dytë) ose të jesh i shantazhuar/korruptuar, pra të të kushtëzojnë të tjerët në të bërit e Asociacionin (asokohe Zajednicë, për efekt retorik dhe mobilizim të vetëdijevve). Këto ishin premisat e tij. Kurti madje përtej Asociacionin, sot ka nënshkruar “nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb” që kapërcen Asociacionin.

Për gjuhën e përdorur dhe polarizimet e ndjellura e deri në nxitje të urrejtjes popullore, Kurti asnjëherë s’është distancuar e kërkuar falje. Këto janë veçse tri shembuj.

Nacionale ka hapur një sondazh ku pyet lexuesit e saj se cila parti politike ka shpërndarë më së shumti urrejtje në Kosovë. Bëhu pjesë e sondazhit edhe ti duke klikuar në vjegëzën e mëposhtme:

Lajme të ngjashme