Vrasje politike, gjaku të zë, profilet e rreme: Akuzat tronditëse të Abazit ndaj Kurtit
Ish-Zv.Kryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti I, Haki Abazi, ka ndarë përfundimisht rrugët me shefin e tij të deritashëm Albin Kurtin. Por, një gjë të tillë e ka bërë me një mal akuzash, për të cilat ndoshta duhet të ndërhyrjë sërish edhe Prokuroria.
“Po z. Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht.” – ka thënë z. Abazi në fjalinë e parë të këtij shkrimi, duke lënë të nënkuptohet se mund të kishte pasur një pyetje nga shefi i tij për një gjë të tillë.
Ai në këtë shkrim akuzoi Kurtin se po vazhdonte të qeveriste njëjtë sikurse qeveritë e kaluara duke e përmbysur kësisoji shpresën për ndryshim. Ai po ashtu, e akuzoi Kurtin se e kishte pranuar Zajdenicën dhe është deklaruar “në mënyrën më të pasinqertë” për një gjë të tillë.
Por, në fjalët e Abazit ka pasur edhe akuza tjera të rënda që mund të shtrojnë pikëpyetje të reja.
Deputeti akuzoi Kurtin se e kishte konfirmuar që ishte “produkt i luftës së eliminimit” dhe se ishte “zgjatja pas Gjykatës Speciale”.
Po ashtu, z. Abazi pretendon se Kurti i ka thënë grupit parlamentar të Vetëvendosjes para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 se donte të merrte në dorë pushtetin “që siguron ndryshimin e njerëzve.”
Ndryshimin e njerëzve?
Në pjesën e mëposhtme, Abazi akuzon se Kurti qëndron prapa edhe profileve të rreme në Facebook.
“Në të ashtuquajturat zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t’i lënë jashtë me çdo kusht, qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnoza për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht.” – u shpreh ai.
Abazi duket se akuzon Kurtin edhe për vrasje politike.
“Vrasjet politike janë instrument që funksionon shkurt, gjaku të zë, tradhtia del – nuk rri dot e konservuar.” – u shpreh deputeti.
