Gjuha e ndërkombëtarëve për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: Cilat ishin reagime e tyre? - NACIONALE

Gjuha e ndërkombëtarëve për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit: Cilat ishin reagime e tyre?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepecit ka kthyer Kosovën në vëmendjen e ndërkombëtarëve. Menjëherë pas sulmit shtete kryesore aleate të Kosovës e dënuan ashpër këtë sulm dhe kërkuan hetime dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për këtë sulm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Gjermania, Italia, Turiqa e shtetet të tjera dënuan ashpër sulmin. Këto ishin reagimet e tyre.

Aleatja kryesore e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin jashtëzakonisht të qartë në reagimin e tyre, duke e dënuar fuqishëm sulmin.

SHBA ishte shteti i parë që reagoi pas këtij sulmi.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës” – ka thënë ai.

Edhe Bashkimi Evropian, përmes zyrës së saj në Prishtinë, e dënoi sulmin. Në një shkrim në rrjetin social “X”, Aivo Orav kërkoi që ngjarja të hetohet.

“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok dhe që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë” – shkroi mbrëmë Orav.

Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty, ka thënë se është sulm i tmerrshëm ai që ndodhi në kanalin kryesor të Ibër Lepencit mbrëmë.

Në një postim në platformën X, ai tha se ky sulm kishte për qëllim prishjen e jetës në mbarë Kosovën.

“Përpjekjet e suksesshme të punonjësve për të ndaluar dëmet kanë rregulluar infrastrukturën jetike”.

“Duhet të ketë një hetim të plotë urgjent. Ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë”

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka dënuar ashpër sulmin terrorist në Zubin Potok, i cili ka rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Përmes një postimi në X, MPJ e Gjermanisë ka shprehur solidaritet me Kosovën, ndërsa bëri thirrje që përgjegjësit e aktit të dalin para drejtësisë.

“Gjermania bashkohet me Bashkimin Evropian në dënimin më të ashpër të sulmit terrorist të djeshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Solidaritet i plotë me Kosovën. Ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Edhe Italia reagoi për sulmin, duke e dënuar ashpër aktin që nga shumë njerëzu cilësua si terrorist.

“Italia dënon me vendosmëri sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë vendase. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari nga përgjegjësit e këtij sulmi të neveritshëm” – thuhej në reagimin e Ambasadës së Italisë.

Ndërsa Turqia ka shprehur gatishmërinë për të ofruar çdo ndihmë ndaj Kosovës në zbardhjen e rastit.

Ndërkohë, edhe Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në Zubin Potok. Në një deklaratë të postuar në X, Orbán e dënoi sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës ndërsa kërkoi hetim të paanshëm.

Lidhur më këtë rast janë kryer bastisje në veri të vendit dhe janë arrestuar tetë persona.

Lajme të ngjashme