Gjoshi: Kurti dhe Osmani tash duhet t'i thërrasin kryetarët e veriut dhe t'ua kërkojnë poshtërimin e radhës
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë me dije se një javë pas tensioneve në veri kryeministri Albin Kurti ka ofruar vetëm poshtrim për shtetin e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se tashmë është bërë e zakonshme që pas çdo përpjekjeje, Kurti po e shtron rrugën e tij të dështimit në veri dhe të dorëzimit.
Sipas tij, tani Osmani dhe Kurti do të iu kërkojnë kryetarëve të katër komunave veriore dorëheqjen.
“Përgjigjja është e qartë: Republika e Kosovës, një shtet i poshtëruar dhe i fyer! Tashmë është bërë e zakonshme që pas çdo përpjekjeje, Albin Kurti po e shtron rrugën e tij të dështimit në veri dhe të dorëzimit. Fatkeqësisht, aksioni solli pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës, e poashtu edhe dorëzimi. Ashtu siç me qeverisjen e tij ka vështirësuar e shtrenjtuar jetën e përditshme të qytetarëve, njëjtë po e vështirëson edhe zhvillimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës duke e konfliktuar me shtetet aleate”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se Osmani ka negociuar me Vuçiqin për çështje të brendshme të Kosovës.
“Pas një jave, për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, siç janë zgjedhjet, presidentja Osmani negocion me Aleksandër Vuçiqin dhe pranon që të shkelën ligjet e Kosovës duke detyruar kryetarët që të dorëhiqen pas një muaji a dy. Pas një jave, duke rrezikuar jetën e policëve të Kosovës, ushtarëve, gazetarëve e të qytetarëve, Albin Kurti nuk ka asnjë sukses. Përkundrazi, bashkë me Vjosa Osmanin duhet t'i thërrasin katër kryetarët dhe t'ia kërkojnë poshtërimin e radhës: Jepni dorëheqje!”, ka shkruar Gjoshi.