Gjithnjë e më shumë ndërmarrës dhe biznese ruse në Serbi
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shumë kompani janë duke zhvendosur bizneset dhe punëtorët e tyre nga Rusia dhe Ukraina, dhe siç duket Serbia është një nga destinacionet e tyre të preferuara.
Këtë e konfirmojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Regjistrimeve të Bizneseve në Serbi.
Siç mësohet, aktualisht janë 876 kompani, themeluesit / anëtarët e të cilave janë persona fizikë dhe juridikë nga Federata Ruse.
“Nga data 24 shkurt deri më 4 prill 2022 është regjistruar themelimi i 86 kompanive, themelues / anëtarë të të cilave janë persona fizikë dhe juridikë nga Federata Ruse", thonë të dhënat zyrtare.
Aktiviteti i shumicës së kompanive ruse të regjistruara përqëndrohet në:
- Programim kompjuterik
- Tregti jo të specializuar me shumicë
- Aktivitete konsulence biznesi dhe menaxheim
- Aktivitete konsulente në fushën e TI-së
Rusët rrisin kërkesat për banesa në Beograd
Në muajin e fundit, siç njoftojnë mediat serbe, agjencitë e patundshmërive në Beograd, Novi Sad, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, kanë vërejtur rritje të theksuar të qirasë, por edhe rritje të blerjeve të banesave, shtëpive dhe objekteve afariste nga rusët dhe qytetarët ukrainas.
Agjentët e pasurive të paluajtshme thonë se kryeqyteti i Serbisë është bërë një vend tërheqës për të jetuar për ekspertët më të pasur rusë dhe ukrainas të TI-së.
“Kërkesat për banesa në Beogradin e Ri janë të vazhdueshme dhe për këtë arsye çmimet në Beograd janë më të larta në krahasim me komunat e tjera”, thotë Millosh Mitiq, nga City Expert.
Sa i përket qirasë, ka një rritje të kërkesës dhe çmimeve, sepse gjithnjë e më shumë kompani ruse, ndërmarrës, e puntorë rusë janë duke u vendosur në Serbi.
“Këta janë kryesisht në kërkim të banesave në Beograd dhe Novi Sad, dhe kemi të bëjmë me njerëz me fuqi blerëse më të lartë, të cilët janë kryesisht nga industria e TI-së, ku shumë shpesh vetë kompania paguan kostot e qirasë. Banesat më të kërkuara janë ato afër qendrës së qytetit dhe ose vendet e lidhura mirë me qytetin dhe qendrat e biznesit”, përfundon Mitiq.