Gjithë Kosova merret me vdekjen e të riut në duart e shtetit, Kurti e Peci “zgërdhihen” duke ngrenë bostan - NACIONALE

Gjithë Kosova merret me vdekjen e të riut në duart e shtetit, Kurti e Peci “zgërdhihen” duke ngrenë bostan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e Policisë së Kosovës ka tronditur Kosovën. Derisa organet e drejtësisë kanë marrë masat adekuate ndaj pesë policëve të përfshirë në rast, kanë vazhduar reagimet e ashpra të institucioneve të pavarur dhe spektrit politik.

Në të gjitha reagimet shprehet keqardhje dhe kërkohet zbardhja urgjente e rastit.

Të prekur me rastin janë shprehur edhe ministrat në detyrë të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë.

Deri me tani, solidaritet me rastin nuk ka treguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ky i fundit, sot ka vazhduar aktivitetet e tij normale. Ai së bashku me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Fatin Pecin, janë parë në nisjen fushatës së korrje-shirjeve në Komunën e Suharekës.

Gjatë këtij aktiviteti, Kurti dhe Peci janë parë të buzëqeshur derisa drejtonin kombajnën duke korrur grurë për disa minuta.

Madje, shefi i qeverisë gjatë këtij aktiviteti kishte kohë të kërkonte edhe bostanin e fshatit Sopijë të kësaj komune.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti është mburru me r subvencionet që Qeveria e tij ka ndarë për fermerët.

Fushatën e korrje-shirjes po e nisim me një rekord të ri: sivjet kemi mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë sesa vitin e kaluar. Me ministrin Faton Peci, u rikthyem në fshatin Sopijë të Therandës. Aty na mirëpriti fermeri Xhemë Beqiraj që ka të mbjellë 25 hektarë grurë. Me punën e zellin e tij, dhe me mbështetjen që e ka marrë nga shteti përmes subvencioneve dhe granteve, tokën që për një kohë të gjatë ishte djerrinë, e ka kthyer në fushë të artë me grurë, që nesër të jetë bukë në sofrën tonë. E përveç grurit ka edhe mbi 11 hektarë të mbjellë me bostan e pjepër”, ka shkruar Kurti.

Veprimin e Kurtit e ka dënuar analisti politik, Shenoll Muharremi.

Ai ka bërë me dije se shefi i ekzekutivit nuk po tregon aspak ndjeshmëri për rastin.

“Në vend se më tregu maturi, ndjeshmëri e solidaritet apo me shku ne Lipjan me kuptu çka ka ndodhë, me kërku llogari e përgjegjësi për vrasjen e të riut në dorën e shtetit, këta kanë zgjedhë me u buzëqesh e me bë fushatë politike elektorale. Trup!”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.

Ndryshe nga Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i prekur me rastin.

Në profilin e tij në “Facebook”, Sveçla ka shkruar se pas marrjes se lajmit ka kërkuar angazhim urgjent nga Inspektorati Policor.

“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka shkruar Sveçla, duke iu shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës.

Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se IML është duke bërë përpjekje maksimale për hartimin e raportit për rastin.

“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”, ka shkruar Haxhiu.

Lajme të ngjashme