Gjithë bota qeshte me ty Albin o Albin - NACIONALE

Gjithë bota qeshte me ty Albin o Albin

6 muaj më parë

nga Col Mehmeti

“Duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë…”, është fraza e shqiptuar me zërin e kryeministrit, Hashim Thaçi, si kujtimi i parë për shtatëmbëdhjetë shkurtin.

Sapo u lexua ky tekst ikonik, në atë pasdite të së dielës së shkurtit 2008, u bë përhajr shteti i dytë shqiptar në Ballkan dhe më i riu në Evropë.

Sado neutrale në tonin dhe përmbajtjen e vet, Deklarata që e mëvetësoi Kosovën përmbante referencën historike më shqiptare të mundshme.

“Rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë” ishte artikulimi më i shkoqur për përpjekjet e paprera të shqiptarëve për shtetin e tyre të mosvarur.

Sigurisht, teksti përurues vetëm kaq mund të bënte në rrethanat e një komunikimi të ndërlikuar politik me Perëndimin dhe kërkesave për kompromise e vetëpërmbajtje.

Peri i Ariadnës në këto rrugë labirinthike të gjeopolitikës ishte vizioni i palëkundur për pavarësi, sigurimi i mbështetjes amerikane dhe sensi i shëndetshëm realpolitik.

Në orën 15:39 kur Thaçi ishte duke e lexuar tekstin që po e lindte një shtet të ri, Lëvizja Vetëvendosje, në selinë e saj në lagjen ‘Pejton’, vuri qepene në dyer e dritare.

Nga jashtë dukej sikur në të kishte rënë zia.

Të mbyllur brenda, aktivistët e saj ishin kapluar nga një tronditje thuajse shpartalluese.

Çdo fjalë a parashikim i tyre kishte dalë huq.

Ata kishin marrë vendim me një gojë që të mos dilnin në rrugë për të festuar shpalljen e pavarësisë.

Sipas tyre, akti i shpalljes ishte veçse spektakël i gënjeshtërt dhe se në të vërtetë Kosova nuk mori as pavarësi të mbikëqyrur, por do të mbetej në derexhenë e një federate me Serbinë.

Mendje prej adoleshenti (shembulli 1): “Republikanët amerikanë nuk na duan”

Prej 2021-s, Lëvizja Vetëvendosje ka asgjësuar nga arkiva e faqes zyrtare në internet të gjithë numrat e gazetës së saj javore që doli nga 2005-a, ashtu sikurse edhe një mal me kumtesa, afishe e pamfletë të tjerë.

Megjithatë, NACIONALE sjell Albin Kurtin disa muaj para se Kosova të frymonte si shtet i pavarur dhe demokratik.

Shkrim pas shkrimi, kreu i kësaj organizate ndillte skenarë të pagjasshëm, e katastrofizonte të ardhmen dhe përhapte avazin e një fryme tërsllëku e depresioni.

Megjithëse presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush, të dielën e 10 qershorit, deklaroi se Kosova “will be independent in one way or the other”, Kurti nuk mendonte kështu.

Për kushediseçfarë arsyesh, ai besonte se “tash nën administratën e Bushit kur SHBA-të janë të zhytura në kriza të tjera, ne nuk i kemi as për së afërmi ShBA-të për pavarësinë e Kosovës (përkundër deklarimeve verbale) ashtu siç i kemi Serbinë e Rusinë kundër pavarësisë së Kosovës”

I botuar më 24 gusht 2007 me titull alla-Leninçe “Çka po ndodh? Kah po na çojnë? Çka duhet të bëjmë?”, shkrimi përpiqej t’ua mbushte mendjen lexuesve se Kosova i kishte keq punët meqë administrata e Bushit kishte vetëm plane ushtarake.

Republikanët në ShBA nuk janë treguar aq të suksesshëm në diplomaci dhe për ta mund të thuhet se më parë kanë plane kur ato janë ushtarake. Pra, planet e tyre disi janë thelbësisht ushtarake prandaj duket që aktualisht edhe me Iranin e humbën garën diplomatike.”

Mendje prej adoleshenti (shembulli 2): “Shpallje e pavarësisë në Kuvend? Imagjinatë”

Por çfarë besonte Kurti në verën e vitit 2007 se do të ndodhte në muajt në vijim?

Sipas tij, “javët, muajt dhe vitet deri te pavarësia janë vetëm javët, muajt dhe vitet e zgjatjes së mandatit të negociatorëve kosovarë dhe pushtetit të tyre.”

Duke qenë se në prapamendime Kurti gëzohej nga besimi i tij se pavarësia e Kosovës nuk ishte punë që bëhej, ai sugjeronte që të përvijohej shembulli i Malit të Zi ku referendumi e parapriu shpalljen.

Aq e pagjasë i dukej shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës saqë Kurti i qësendiste plot cinizëm të gjithë ata që e besonin një gjë të tillë, për të cilët thoshte se kanë imagjinatë të bujshme.

Edhe nëse për një moment mendojmë se si Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë, për çfarë njëmend imagjinata jonë duhet të jetë shumë e bujshme, atëherë edhe këtë gjë do të duhej ta bënte pas mbajtjes së referendumit, ashtu që vendimi të jetë legjitim dhe fuqiplotë, vendim jo i ca politikanëve por i tërë një populli”, shkroi Kurti.

Mendje prej adoleshenti (shembulli 3): “Mos ta shpallim pavarësinë se e shpallin edhe enklavat”

Në kusurin e tekstit, kreu i kësaj organizate harxhonte bojë për skenare të ardhshme me luftë e gjakderdhje.

Dhe, ai kishte një sugjerim për të ‘mirën’ e Kosovës.

Sipas tij, vendi nuk duhej ta bënte shpalljen e pavarësisë në Kuvend, meqë kjo do të provokonte shpallje të pavarësisë nga enklavat serbe.

Pavarësia që vjen nga shpallja formale që mund ta bëjë Kuvendi i Kosovës, vetëm sa do të provokojë shpalljen e pavarësisë që do ta bënin enklavat, e cila pavarësi do të ishte shumë më e njëmendtë sesa ajo e Kuvendit të Kosovës.”

Mendje prej adoleshenti (shembulli 4): “Ka vetëm mbikëqyrje, por jo pavarësi”

Se ai nuk po merrte vesh gjë, ose nuk ishte i interesuar të merrte vesh, e dëshmon që edhe në tetor i përsëriste të njëjat profka.

Në shkrimin “(Pa)varësia që (nuk) negociohet”, të botuar më 14 tetor 2007, Kurti ishte sikletosur nga rekomandimi që sapo e kishte bërë Marti Ahtisaari se do të kishte ‘pavarësi të mbikëqyrur.’

… ‘pavarësia e mbikëqyrur’ është pavarësi e mbikëqyrësit. Pavarësi e misionit të BE-së që zëvendëson dhe e trashëgon UNMIK-un. Madje kjo në variantin më të mirë të mundshëm. Në variantin teorik. Realisht, nga pavarësia e mbikëqyrur duket se do ta kemi vetëm mbikëqyrësin. Pa pavarësi. Po, pra, mbikëqyrës mbi ne pa pavarësi për ne. Pavarësia e mbikëqyrur u bë mbikëqyrje pa pavarësi.”

Mendje prej adoleshenti (shembulli 5): “Pavarësia do të shfuqizohet”

Me një rivalitet që shpesh mjegullon kufijtë e urrejtjes patologjike, Kurti në shkrimin “Shpallja e Thaçit”, të botuar më 25 nëntor 2007, thoshte se kryeministri i ri nuk do të mund ta shpallte pavarësinë.

Sipas kreut të Vetëvendosjes, “shpallja eventuale e pavarësisë së Kosovës pa organizuar referendum që e bën popullin sovran dhe pa ushtri që e mbron vendimin e popullit, e shndërron Kosovën në një Bosnje të re.”

Atë lloj shpallje, jo vetëm që e shfuqizon menjëherë PSSP-ja të cilit i nënshtrohet Kuvendi i Kosovës, por ajo vetëm sa do t’i shërbejë strukturave të Serbisë që t’i formalizojnë enklavat anekënd Kosovës si pjesë të Serbisë. Shpallja e Thaçit nuk do ta bënte Kosovën të pavarur nga Serbia por do t’i bënte enklavat të pavarura nga Kosova.”

Gati dy dekada më vonë, shteti i pavarur dhe demokratik, i shpallur nga Hashim Thaçi bashkë me 109 deputetë, jeton i fortë.

Me 119 njohje të vargisura ndër vite, Kosova nuk përjetoi asnjërin nga skenarët e paralajmëruar nga Kurti që nuk e besoi pavarësinë, madje edhe e bojkotoi seancën solemne ku mori ftesë.

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, ai mori 403,521 vota. Tupani bie për ata që kanë vesh…

Col Mehmeti

Lajme të ngjashme